Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot mban Kuvendin Zgjedhor me ç’rast do të zgjedhën organet udhëheqëse të reja.
Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka për Demokracia.com tregoi se Ramush Haradinaj është kandidati i vetëm që ka paraqitur kandidaturën për kryetar të kësaj partie.
“Deri më tani, vetëm një kandidat ka paraqitur me shkrim kandidaturën, z. Ramush Haradinaj. Nuk kam asnjë informacion për ndonjë kandidat tjetër”, tha Blaka
Në njoftimin dërguar mediave, thuhet se pas përmbylljes së procesit të brendshëm zgjedhor nëpër nëndegë, degë, Aleancë të Gruas dhe Rinisë, në Kuvendin e IX Zgjedhor do të zgjidhet kryetari dhe Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së, raporton Demokracia.com.
Ramush Haradinaj është kryetari i vetëm që nga themelimi i AAK-së në vitin 2000.
Haradinaj ka qenë dy herë kryeministër i vendit. Për herë të parë u zgjodh në vitin 2004 dhe në postin e të parit të qeverisë qëndroi vetëm 100 ditë, pasi u detyrua të japë dorëheqje pas ftesës nga Tribunali i Hagës për akuzat për krime lufte, proces ky që zgjati tri vjet, nga 2005 deri në 2008, ku më 3 prill të 2008-es, ai u shpall i pafajshëm.
Ndërsa, për herë të dytë, Haradinaj në krye të qeverisë erdhi më 9 shtator të vitit 2019, i cili ishte mandatuar nga koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA), ku më 61 vota fitoi besimin për të udhëhequr me vendin.
Mandati i tij as këtë herë nuk ishte i plotë, pasi më 19 korrik të vitit 2019, ai në një konferencë për media, me plot emocione, bëri të ditur se ka pranuar ftesë për intervistim nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës së Specializuar në Hagë.
Ai bëri të ditur se në gjyq nuk do të shkojë si kryeministër i vendit, por që nga ai moment janë në dorëheqje si qeveri./Demokracia.com/