Lajme
AAK s’merr pjesë në takimin e thirrur nga Osmani për zgjedhjet në veri
Demokracia
13:36 | 10 Dhjetor 2022

Share:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani, në të cilin do të diskutohet për zgjedhjet në veri.

Në një përgjigje për Demokracia.com, drejtori për Informim i AAK-së, Lulzim Blaka tha se kjo parti që nga fillimi ishte kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri, pasi që sipas tij, nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre.

“Qëndrimi i AAK për zgjedhjet në veri, që nga fillimi kur është hapur kjo temë, ka qenë që ato të shtyhen, sepse kemi vlerësuar se nuk është momenti i përshtatshëm për mbajtjen e tyre.  Ky është qëndrimi jonë që e kemi bërë publik në shumë raste e deklarata, tash e sa kohë”, tha Blaka.

Ai fton më tej që edhe paritë e tjera t’i bashkohen qëndrimit të AAK-së

“Andaj, ashtu si nuk kemi marrë pjesë në takimin e mëhershëm me Presidenten, nuk e vlerësojmë as tash të marrim pjesë, dhe kërkojmë që Presidentja dhe partitë e tjera politike të reflektojnë e të bashkohen me qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha Blaka për Demokracia.com.

Ndryshe Presidentja Vjosa Osmani pret sot në ora 14:30 partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan./Demokracia.com/

Të ngjashme