Lajme
AAK: Shtyllat kryesore të ekonomisë jofunksionale, qytetari po varfërohet çdo ditë
Demokracia
16:11 | 26 Mars 2023

Share:

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh sot se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial vërteton se anti-kushtetutshmëtia gjatë kësaj qeverisjeje është bërë e standard qeverisës.

Ai, në një konferencë për media tha se kundërshtimet ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese shpërfaqin “qasjen autoritare si dhe tentimin për kapje të çdo institucioni të pavarur nga ana e njerëzve në pushtet”.

Tahiri, siç u bë e ditur në komunikatë, tha se është e patolerueshme që për çdo vendim kushtetues të ketë qëndrime politike dhe njëkohësisht shtyjnë ligje, të cilat sipas tij, kontestohen nga Komisioni i Venecias.

Ndërsa, Fatmir Gashi, udhëheqës i Departmentit pët Ekonomi në AAK, foli rreth mungesës së emërimit të Bordit të Trustit, që sipas tij, është e pakuptimtë në një situatë krize ekonomike tash e tri vjet.

Sipas Gashit, Qeveria e Kosovës do duhej që tanimë ta nisë reformën për fondin pensional.

“2 miliardë gjysmë euro të cilat menaxhohen nga Trusti Pensional janë pa mbikëqyrje. Kjo është një papërgjegjësi e madhe nga ana e Qeverisë. Nevojiten reforma në sistem pensional për të bërë liberalizim të shtyllës së dytë. Kjo do ta zvogëlonte mundësinë për humbje në Trust”, tha Gashi.

Sa i përket Bankës Qendrore, si institucioni më rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend, Gashi ngriti shqetësimin për vonesën e emërimit të Guvernatorit në këtë institucion.

Sipas tij, këto veprime të Qeverisë janë të pafalshme, sepse rrezikojnë tejmase stabilitetin financiar dhe rrjedhimisjt ndikojnë direkt në ekonominë e vendit.

“Në vend që të merren masa emergjente për mbrojtje të mirëqenies së qytetarëve, po merren masa për rëndimin e kësaj gjendje. Qytetari po vaŕfërohet çdo ditë e më shumë”, shtoi ai, duke iu referuar rritjes së çmimit të energjisë dhe të tatimit në pronë.

Të ngjashme