Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka prezantuar sot programin zgjedhor për vitin 2021-2025, duke shprehur bindjen se në zgjedhje hynë për fitore dhe sukses.
Kreu i kësaj partie në prezantimin që u bë në Biblotekën Kombëtare të Kosovës ka prezantuar programin e plotë, i cili ndahet në katër shtylla, shkruan Demokracia.com
Haradinaj para mediave dhe bashkëpartiakëve të tij, ka premtuar një “Fond të ringjalljes” prej 1 miliard eurove.
“E para është ekonomia. E kemi një plan të detajuar si të dalim nga kriza e shkaktuar nga Pandemia. E kemi ideuar krijimin e Fondit të ringjalljes prej 1 miliard eurove që është i realizueshëm e që garanton daljen nga kriza”, tha ai.
Tutje, Haradinaj ka folur edhe rreth shtyllave të tjera që parasheh programi zgjedhor i kësaj partie.
“Shtylla e dytë është siguria, shteti i së drejtës. Shtylla e tretë janë fushat sektoriale duke filluar nga shëndetësia, arsimi, mjedisi, rinia, kultura e sporti. Shtylla e katër është politika e jashtme, veprimet në funksion të fuqizimit të shtetit në arenën ndërkombëtare, njohjeve të reja, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe fuqizimi i marrëdhënieve me aleatët”, u shpreh Haradinaj.
Kujtojmë se Ramush Haradinaj nuk kandidon për kryeministër në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 shkurt, pasi që ai ka shfaqur synimet për të marrë postin e presidentit./Demokracia.com