Lajme
AAK me rezolutë gjashtë pikëshe për krizën ekonomike – kërkon nga Qeveria të ndërmarrë hapa konkret
Demokracia
19:15 | 29 Qershor 2022

Share:

Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka miratuar një rezolutë për krizën ekonomike-sociale në vend përmes së cilës i kërkohet nga Qeveria Kurti të ndërmarrë gjashtë masa për tejkalimin e gjendjes.

AAK kujton se situata ekonomike sociale në Kosovë, është ndër më të rëndat që prej vitit 2000, ku inflacioni ka mbërritur nivele shqetësuese, me çmimet e rritura mbi 30 për qind, teksa Qeveria ka dështuar me masat e saj për zbutjen e kësaj situate.

Në një situatë të tillë, AAK kërkon që për një periudhë tremujore, të hiqen të gjitha taksat për artikujt esencial, siç janë buka, mielli, vaji, sheqeri, produktet e qumështit, të mishit e kështu me radhë.

Për një periudhë tremujore të përgjysmohen taksat e shitjes së karburanteve: naftës, benzinës dhe gazit.

Qeveria ta ridraftojë Ligjin për Pagën Minimale, ku shuma prej 250 eurove të ngritet në 350 dhe në këtë Ligj të përfshihen edhe veteranët.

Kuvendi i Kosovës, para se të shkojë në pushimet e verës më 15 gusht të këtij viti, ta miratojë Ligjin e Pagave dhe të fillojë zbatimi i tij i menjëhershëm.

AAK gjithashtu kërkon të rikthehet dhe të miratohet Projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit, si dhe të rishikohen kontratat për kryerjen e punimeve të ndryshme, që janë lidhur në vitin 2019, 2020 dhe 2021 dhe të harmonizohen në përputhje me rritjen e çmimeve.

Rezolutë për krizën ekonomike-sociale

Arsyetim

Situata ekonomike sociale në Kosovë, është ndër më të rëndat që prej vitit 2000. Inflacioni ka mbërritur nivele shqetësuese. Çmimet vetëm në vitin e fundit, sipas statistikave, janë rritur më shumë se 30 për qind, ndërkohë që rritja reale është shumë më e madhe. Pagat në sektorin publik nuk kanë shënuar rritje që prej vitit 2018.

Qeveria ka dështuar me masat e saj për zbutjen e kësaj situate. Ndihmat sociale “të tipit 100 euro” për të punësuarit dhe studentët, kanë rezultuar qesharake. Refuzimi i zvogëlimit të akcizës dhe taksave në produktet esenciale, posaçërisht në artikujt e shportës, të energjisë e të karburanteve, e kanë rënduar tej mase gjendjen e qytetarëve.

Njerëzit kanë filluar të kenë probleme serioze me sigurimin e ekzistencës.

Bllokimi i tërheqjes së 30 përqindshit të Trustit, si masë kjo emergjente, për zbutjen sado pak të kësaj gjendjeje, e ka acaruar popullatën.

Ligji për pagën minimale, ka dalë të jetë një mashtrim ordiner. Qeveria e ka caktuar pagën minimale prej 250 eurosh, në kohën kur nuk mund të gjendet as edhe një njëri i vetëm në Kosovë, që sot ka pagë më të ulët se 250 euro. Të vetmit që kanë marrë më pak se 250 euro, kanë qenë veteranët, por qeveria ata i ka përjashtuar nga paga minimale.

Prandaj ky ligj është fiktiv, dhe nuk ka kurrfarë impakti te punëtorët në Kosovë. Është bërë vetëm për “show mediatik”.

Bllokimi i Ligjit të Pagave, është një tjetër faktor që e ka rënduar jetën e qytetarit.

Qeveria ka vendosur që të bllokojë mjetet financiare e t’i mbajë në arkën e saj. Janë bllokuar qindra kontrata dhe punëmarrësit janë para falimentimit, sepse qeveria nuk i ka rishikuar këto kontrata, siç kanë bërë shumica e vendeve, e t’i harmonizojë ato sadopak me çmimet që janë rritur në mënyrë enorme.

Në një situatë të tillë, AAK miraton këtë rezolutë:

Kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë këta hapa:

1. Për një periudhë tremujore, të hiqen të gjitha taksat për artikujt esencial, siç janë buka, mielli, vaji, sheqeri, produktet e qumështit, të mishit e kështu me radhë.

2. Për një periudhë tremujore të përgjysmohen taksat e shitjes së karburanteve: naftës, benzinës dhe gazit.

3. Ta ridraftojë Ligjin për Pagën Minimale, ku shuma prej 250 eurove të ngritet në 350 dhe në këtë Ligj të përfshihen edhe veteranët.

4. Kuvendi i Kosovës, para se të shkojë në pushimet e verës më 15 gusht të këtij viti, ta miratojë Ligjin e Pagave dhe të fillojë zbatimi i tij i menjëhershëm.

5. Të rikthehet dhe të miratohet Projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit.

6. Të rishikohen kontratat për kryerjen e punimeve të ndryshme, që janë lidhur në vitin 2019, 2020 dhe 2021 dhe të harmonizohen në përputhje me rritjen e çmimeve.

Të ngjashme