Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë me dhjetë konkluzione, përmes të cilave ka bërë një sërë kritikash për buxhetin e Kosovës për vitin 2024. Mungesa e konsultimit publik, mungesa e sigurisë për zhvillim dhe planifikimi minimal i projekteve janë disa nga kritikat e kësaj partie për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Si problematikë të parë në çështjen e buxhetit, AAK ka theksuar mungesën e konsultimit publik me sindikatat dhe mungesa e transparencën, që, sipas tyre, përbën shkelje të ligjit.
AAK gjithashtu ka theksuar mes tjerash se buxheti i vitit 2024 “nuk siguron zhvillim dhe është stagnues, po ashtu shtyn një eksod masiv”
Aty më tej thuhet se buxheti “nuk parasheh efekte reale, as në pagat në sektorin publik, e as në ekonominë dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë”.