Pas takimit të mbajtur midis të Dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesve të opozitës në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se qëndrimi i kësaj partie për propozimin evropian të mbështetur nga SHBA-ja ka qenë në mbështetje të plotë.
Në një deklaratë të lëshuar nga kjo parti pas takimit të së enjtes, thuhet se pa asnjë mëdyshje është vlerësuar se kjo marrëveshje brenda saj ka njohjen de fakto të shtetit të Kosovës dhe është interes nacional i vendit.
“I kemi dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak apo elektoral. Prandaj përpjekja e disa individëve, apo grupimeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s’është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre”, thuhet në njoftim.
Më tej është deklaruar se Aleanca është rreshtuar me SHBA-në dhe vendet e BE-së në procesin e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë.
Në takimin e opozitarëve me Escobarin, AAK-ja u përfaqësua nga nënkryetari Ardian Gjini.