Sot po mbahen zgjedhjet në Lëvizjen Vetëvendosje për tu zgjedhë organet e reja të partisë, kryetari, kryesia dhe kryetarët e qendrave nëpër komuna.
Vet Albin Kurti, kandidat i vetëm për një mandate tjetër katër vjeçar si kryetarë ka votuar dhe u ka bërë thirrje anëtarëve të LVV-së, të dalin dhe të votojnë.
Por jo të gjithë i janë përgjigjur thirrjes së partisë.
Deputetët që më 17 mars të këtij viti nuk e votuan apo abstenuan për projekt-kodin civil, ku parashihej martesa e personave të gjinisë së njëjtë, nuk kanë votuar në zgjedhjet e partisë, shkruan Paparaci.
Vetëm dy prej tyre kanë bërë publike në rrjetin social Facebook se kanë marrë pjesë në zgjedhjet e partisë. Deputeti Halil Thaçi dhe deputetja Mirlinda Tishukaj-Sadiku.
Ndërsa deputetët, Labinotë Demi-Murtezi, Visar KOrenica, Jahja Kokaj, Eman Rrahmani, Gazmend Gjyshinca, Fitim Haziri, Drita Millaku, Gramoz Agusholli, Fjolla Ujkani, Driton Hyseni, Alban Bajrami, Njazi Isaku, Hydajet Hyseni, e Valon Ramadani, në profilet e tyre zyrtare në Facebook nuk kanë postuar asgjë nga zgjedhjet e sotme të partisë.
Madje deputeti Valon Ramadani që deri tani e udhëhiqte qendrën në Ferizaj iu refuzua edhe kandidatura për të marrë edhe një mandate tjetër.
Mundësinë që deputetët të penalizohen nga organet e partisë, madje edhe të mos lejohen të futen në listën për deputet në zgjedhjet e ardhshme e pati paralajmëruar, kryetari I LVV-së, Albin Kurti.
Kurti më 28 gusht të këtij viti në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LVV i ka paralajmëruar deputetët e partisë së tij se mund të mos jenë më as kandidatë për deputetë nga kjo parti, nëse nuk e ndihmojnë Qeverinë.
“E keni mundësinë të shkëlqeni, por mirë nuk është shkëlqyeshëm. Por, nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë, do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme”, u shpreh kryetari i LVV-së”, u kishte thënë Kurti deputetëve të partisë që ai e udhëheqë. Paparaci.com
Projektkodi Civil nuk ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, pasi 29 vota ishin kundër, 28 për dhe katër deputetë kanë abstenuar.
Në mars të këtij viti në momentin e votimit në kuvend ishin 77 deputetë, por 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.
Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.