Sport
A u tradhtua Bylbyl Sokoli nga futbollistët, flasin analistët: Në rast se ka pasur atëherë ata e kanë tradhtuar klubin e jo trajnerin
Demokracia
15:35 | 15 Mars 2021

Share:

Gjilani bëri shumë bujë kur në bankinë pas largimit të trajnerit Gentjan Mezani, angazhoi trajnerin e mirënjohur Bylbyl Sokoli.

Ai punën e nisi me shumë entuziazëm derisa shkëndijat e para u dhanë në takimin me Ballkanin kur gjilanasit triumfuan me rezultat 0:4 në Suharekë. Pas asaj ndeshje të gjithë menduan se Gjilani më në fund gjeti një trajner çfarë i duhet, shkruan Demokracia.com.

Megjithatë, duket se të gjithë u mashtruan. Gjilani pas vetëm gjashtë ndeshjeve në pranverë u detyrua ta shkarkojë Sokolin. Ai kishte një bilanc katastrofik në këtë periudhë pasi nuk shënoi asnjë fitore dhe mori katër barazime.

Jo të gjithë besuan se faji është te trajneri edhe pse normal përgjegjësia gjithmonë bie mbi të. Sinjale se tek ekipi nuk kishte harmoni dha edhe trajneri Sokoli, i cili përkundër që mohoi çdo bojkot të mundshëm tha se ose është dashur të largohet ai ose është dashur të largohen  3-4 futbollistë.

Vetë trajneri Bylbyl Sokoli ka mohuar të ketë bojkot por sipas tij motivi tek disa lojtarë ka munguar.

Se a u tradhtua Gjilani askush me përgjegjësi të plotë nuk mund ta thotë, por që kishte pakënaqësi në punën e Sokolit këtë mund ta thotë gjithkush.

“Nuk besoj qe ka pasur bojkot por ndoshta motivimi ka munguar. Në rast se ka pas atëherë lojtarët e kanë bojkotuar klubin e jo trajnerin sepse trajneri është i përkohshëm në klub”, ka thënë për Demokracia.com, Erdin Hashani i cili ka një karrierë të pasur si futbollist, duke luajtur edhe në arenën ndërkombëtare dhe tash ushtron zejen e trajnerit.

“Lojtarët që bëjnë kontratë me klubin janë të obliguar ta japin maksimumin për atë klub, nuk ka rëndësi kush është trajner pasi kontrata bëhet me klubin e jo trajnerin. Është gabim nëse ata lojtarë nuk e japin maksimumin pavarësisht se kush është trajner. Mos të harrojmë se lojtarët e Gjilanit paguhen shumë mirë dhe e kanë obligim që të japin maksimumi. Në qytetin e Gjilanit jetojnë prej futbollit në të dy taborët, tifozët aty i respektojnë të gjithë lojtarët, kështu që ata futbollistë që e bartin fanellën duhet për shkak të respektit që u japin ata tifozë”, përfundoi Erdin Hashani.

 Dajaku: Vështirë të definohet, por diçka kishte te Gjilani

Futbollisti i njohur Taulant Dajaku duke mos dashur të japë një konkluzion nëse kishte apo jo tradhti, gjithsesi e pranon se situata nuk ka qenë e mirë tek Gjilani.

“Është një temë e ndjeshme kjo dhe përgjithësisht duhet kujdes në deklarimet që mund të them. Mendoj se gjithmonë ka një shkak kur një ekip që ka kualitete nuk përformon në maksimumin e vetë dhe nga çka vjen kjo është vështirë e mundur me u definu por që gjë e dukshme është se ka një diçka që e shkakton këtë gjendje”, ka thënë Taulant Dajaku për Demokracia.com.

“Ajo çka duket se mund të ketë ndodh në Gjilan tashmë mund ta konstatojnë akterët që kanë qenë dhe janë aty, nga vrojtimi i jashtëm e dukshme është që ka pasur një ngërç në marrëdhëniet në mes shtabit teknik dhe lojtarëve”, ka thënë Dajaku:  .

“Derbi është treguesi final që e ka nxjerrë haptas këtë ngërç dhe si duket gjendja ka shkuar aq larg sa e ka shtyrë trajnerin Bylbyl të jap dorëheqje!. Se si ka qenë ky ndryshim mbetet të shihet. Koha është treguesi i të vërtetave”, ka përfunduar Taulant Dajaku. /Demokracia.com 

 

Të ngjashme