Lajme
A u shpërfill Kurti nga deputetët e VV-së kur e shpalli kandidaturën për kryetar
Demokracia
10:29 | 24 Shtator 2022

Share:

Ministra të kabinetit të tij, kryetarë komunash nga radhët e VV-së, zyrtarë që mbajnë poste në parti,  anëtarë të thjeshtë të saj, përfshirë edhe ata më militantët, u ftuan në Sallën e Kuqe, të martën që shkoi, ku lideri i tyre shpalli kandidaturën për t’u bërë përsëri kryetar. Por, Kurti që po udhëheq me vendin tash e 18 muaj nuk arriti t’i mbledhë të gjithë. Aty munguan një numër goxha i madh i deputetëve. Ndonjëri për shkak se ndodhet jashtë vendit, e të tjerët me gjasë qëllimshëm. Deputeti Fatmir Humolli që është ende pjesë e Grupit Parlamentar të VV-së tha se ishte i ftuar por ka refuzuar të shkojë.

Sipas koreografisë së VV-së, për t’ia shtuar madhështinë tubimit ku u paralajmërua se Kurti synon edhe një herë fronin e partisë, kishin shkuar edhe nga Lista Guxo, si Ministri Peci, e deputeti Burim Meta  Zëvendëskryeministrja Emilja Redzepi, ministri Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe ministra nga radhët e VV-së. Nuk munguan as Xhelal Sveçla, Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu, Hekurani Murati, Rozeta Hajdari e Armend Mehaj.

Por, jo të gjithë, madje as Ministra të VV-së që përbëjnë bërthamën e VV-së si Liburn Aliu nuk u panë  aty. Aliu e shpërndau në facebook postimin e VV-së rreth tubimit, ndërsa një ditë më vonë tregoi se është në Berlin. Në fotografitë e VV-së iu dha pak hapësirë  Besnik Bislimit, e pak më fort u fokusua Hydajet Hyseni e Avni Dehari.

Albin Kurti po synon të mbesë në pozitën e të parit të Lëvizjes Vetëvendosje deri në vitin 2026. Ndonëse aktualisht është partia me mbështetjen më të madhe popullore, përflitet se brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes ka mospajtime të thella ideologjike.

Kuri doli për të folur para bashkë partiakëve, që ishin aty,  për të shpalosur platformën programore pikërisht çështja e “botëkuptimet e ndryshme” ishin theksi i fjalimit të tij.

“Si mendimtarë dhe aktivistë socialdemokratë ne duhet të promovojmë bashkëpunimin qytetar mes njerëzish të feve, etnive, klasave, e botëkuptimeve të ndryshme”, tha Kurti, derisa pranoi që ideologjikisht nuk mund të jenë gjithëpërfshirës, shkruan Express.

“Ajo që mund të bëjmë është ta rrisim llojllojshmërinë socio ekonomike e botëkuptimore të qytetarëve me pikëpamje politike të majta që aderojnë tek ne”.

Në njoftimin publik që bëri VV ftesa oshte që aty të shkonin anëtarët dhe aktivistët, por në ftesat e brendshme që iu dërguan deputetëve nëpërmjet e-mail’it, atyre iu tha se pjesëmarrjen e kanë obligative.

Sidoqoftë, jo të gjithë e respektuan “obligimin”. Disa prej tyre s’u gjenden në Kosovë, prandaj këtë e patën arsye. Por, pat edhe të tillë që tubimin e thirrur për shefin e tyre të partisë e bojkotuan pa dhënë ndonjë arsye të veçantë – të paktën këtë s’e bënë në publik.

Revolta ndaj Vetëvendosjes ishte arsyeja pse deputeti i kësaj partie, Fatmir Humolli, nuk shkoi në këtë tubim, ndonëse ishte i ftuar.

Ai për Gazetën Express tha atij nuk iu dërgua ndonjë e-mail  meqë nuk është anëtar partie, por refuzimin e bëri me arsyen se nuk dëshiron të ketë ndonjë rol në këtë parti, për të cilën tha se është futur në konflikt me shumë grupe shoqërore.

“Jam informuar gojarisht që jam i ftuar, veç i informuar. Arsyeja pse s’kam marr pjesë është se nuk jam anëtar i Vetëvendosjes. Dhe është një problem brenda Vetëvendosjes që nuk dëshiroj që të ndikoj as negativisht as pozitivisht”.

Humolli derisa akuzoi Qeverinë Kurti tha se është në pritje nëse Vetëvendosje do të ndryshojë, sipas tij, për të mirë.

“Njëherë jam duke shikuar a po reflektojnë. Nuk kam nevojë të debatoj me Vetëvendosjes, sepse ata e dinë qëndrimin tim edhe për fat e vërteta – ajo që e kam thënë – ka lëvizur nga ana ime. Ta shoh a po reflektojnë apo jo. Na kanë futur në konflikt me veteranë të luftës, me punëtorë të arsimit, me punëtorë të KEK-ut, me punëtorë shëndetësorë. Nuk e di me kënd nuk na kanë futur në konflikt edhe ende janë të shkëputur nga realiteti objektiv. Ta shohim a po këndellen apo jo, por janë duke e dëmtuar vendin dhe janë duke bërë dëme goxha të mëdha”, tha Humolli.

Por, për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të mos lënë mundësi për diskutim, Konjufcën që ishte jashtë vendit, VV u kujdes që ta inkuadrojë me videolidhje.

Ai iu drejtua bashkëpartiakëve dhe pati fjalë të mëdha për të parin e partisë.

Të ngjashme