Lajme
A po tenton Kurti t’ia ndërrojë Kosovës aleatët? S’po i ndahet Greqisë, Turqinë s’e vizitojë asnjëherë
Demokracia
20:30 | 13 Korrik 2022

Share:

Prej kohësh raportet mes Turqisë dhe Greqisë janë të acaruara për problemet që kanë në detin Egje, të cilat jo në pak raste përdorin gjuhë të ashpër kundër njëra-tjetrës.

Pavarësisht raporteve të acaruara mes këtyre dy shteteve fqinje, kryeministri Albin Kurti duket sikur nuk po arrin të tregohet i kujdesshëm në mbajtjen e një pozicioni të balancuar.

Ndonëse deri më tani nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për këtë çështje, siç bënë zakonisht kur bëhet fjalë për gjeopolitikën, prezenca e shpeshtë e kryeministrit Albin Kurti në Greqi mund të mos pëlqehet nga shteti mik Turqia, i cili së fundmi i ka dhënë një mbështetje të madhe Kosovës për anëtarësim në NATO dhe është njëri prej investitorëve më të mëdhenj të huaj në vendin tonë, shkruan Demokracia.com.

Edhe pse janë të shpeshta vizitat e Kurtit në Greqi, qofshin zyrtare apo për të marrë pjesë në diskutime për hallet e mëdha të botës, pozicioni i Greqisë për njohjen e Kosovës nuk ka lëvizur aspak deri më tani.

Qëndrimi mbetet i njëjtë dhe Greqia vazhdon të mos e njohë Kosovën, shkruan Demokracia.com.

Vetëm gjatë këtij viti, kryeministri Albin Kurti ka qëndruar dy herë në Greqi.

Vizita e parë e tij në Greqi në këtë vit ishte në prill, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik Delphi.

Forumi i parë ekonomik Delphi u iniciua nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, më 25 shkurt 2016, në Qendrën Kulturore Evropiane në Delphi. Që atëherë, forumi konsiderohet si një ngjarje politike, sociale dhe financiare brenda rajonit më të gjerë me tërheqje ndërkombëtare. Pjesëmarrës nga 32 vende dhe më shumë se 200 përfaqësues të mediave, zakonisht bashkohen aty në takime të përvitshme.

Ndërsa, vizita e dytë e Kurtit në Greqi gjatë këtij viti ka nisur më 5 korrik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Greqisë për të marrë pjesë në Tryezën Vjetore të 26-të të “The Economist”.

Posa e përfundoi këtë tryezë, Kurti nuk mundi të kthehej në Kosovë pa marrë pjesë edhe në Simpoziumin Symi.

Symi mbledh së bashku individë me mendime të ndryshme, prejardhje të ndryshme, intelektualë, politikanë, laureatë të Nobelit, sipërmarrës, diplomatë, shkencëtarë dhe aktivistë për të diskutuar disa nga çështjet më të ngutshme të kohës sonë. Ai u mbajt për herë të parë në 1998 në ishullin Symi, i cili që atëherë i ka dhënë emrin edhe simpoziumit, shkruan Demokracia.com.

Kjo është hera e pestë që Kryeministri i Kosovës merr pjesë në këtë simpozium, përkatësisht hera e dytë prej kur e mban pozitën e kryeministrit.

Kujtojmë që Kurti nuk ka zhvilluar asnjë vizitë zyrtare në shtetin turk dhe nuk njihet për “mirëmbajtje” të raporteve me aleatët e dëshmuar të Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme