Lajme
A po tenton Kurti të relativizojë përfaqësimin e ShBA-së nga Escobari?
Demokracia
10:01 | 08 Qershor 2023

Share:

Situata në veri të vendit përveç tensioneve të reja mes Kosovës dhe Serbisë, ka prodhuar edhe ftohje të raporteve mes SHBA-ve dhe Kosovës për shkak të moskoordinimit me ta për veriun. Pasi i kundërshtoi edhe deklaratat e tyre, tash kryeministri i Kosovës po tenton të tregojë që nuk ka probleme me SHBA-në por me emisarët e tyre, në këtë rast me të dërguarin Gabriel Esocbar.

Një ndër zërat kryesor të amerikanëve në raport me zhvillimet në Kosovë është i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocobar. Bile ai ishte edhe për vizitë në Kosovë, të hënën.

Kështu, tash për Kurtin problemi nuk është me Shtetet e Bashkuara të Amerikës por me emisarët e tyre.

Në një deklarim për medie të mërkurën, kryeministri Kurti, ka thënë se ka dallim kur SHBA-ja kërkon diçka ndaj Kosovës dhe ka dallim kur emisarët kërkojnë diçka.

Kurti ka thënë se kur kërkohet diçka nga SHBA-ja nuk kanë dilema, ndërsa kur emisarët amerikanë por edhe ata evropianë kërkojnë diçka në raport me Serbinë, atëherë për Kurtin ka dallim dhe kërkon që të mendohet më shumë dhe të jetë më i vëmendshëm.

Ndërkohë, emisarët përfaqësojnë shtetet e tyre dhe interesat e shteteve të tyre dhe jo interesat personale, por që për Kurtin duket se kjo gjë nuk është krejt e qartë.

“Unë jam i bindur se do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët edhe evropian edhe amerikan, por raportet tona bilaterale me SHBA dhe BE janë të shkëlqyeshme. Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është ne pyetje Evropa apo Amerika, por është në pyetje raporti ynë me Serbinë. Dhe kjo natyrisht që s’është e njëjta gjë. Duhet ta dalloni kërkesën që na bënë Amerika psh për t’i pranuar refugjatët nga Afganistani, 1893 i kemi pranuar. Këtu s’kemi kurrfarë dilema. Kur SHBA në kuadër të raporteve bilaterale kërkojnë diçka prej neve ne s’kemi kurrfarë dilemash. Por kur emisari amerikan kërkon diçka që ka të bëjë në raportin tonë me Serbinë, ne duhet të mendojmë mirë, te jemi të vëmendshëm të kujdesshëm, por natyrisht gjithnjë te jemi bashkëbisedues e të përkushtuar.” – ka thënë Kurti.

E kjo deklaratë për dikë po duket si tentim për të relativizuar angazhimet e emisarëve të huaja për çështjen e Kosovës.

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, ka thënë se Kurti po bën përpjekje për të relativizuar përfaqësimin e emisiarëve.

Sipas tij, emisarët përfaqësojnë Amerikën dhe BE-në dhe se nuk angazhohen në Kosovë për “turizëm”.

Më tej, ai thotë se kjo gjë na bënë “hajgarexhi”.

“Na kalli Kurti, ka problem me emisaret e SHBA-se dhe BE-se dhe jo me ato, thuajse ata kane ardhur per turizem dhe nuk i perfaqesojne ato! Perpjekja per relativizin te perfaqesimit, ne rastin me te mire na bene hajgarexhi!” – ka shkruar Peci në Facebook.

Ndërkaq, menjëherë pas deklarimit të Kurtit për këtë gjë, filluan sulmet e anëtarëve të VV-së ndaj Escobarit, ku ngjashëm si shefi i tyre, tentuan të relativizojnë punën e emisarëve të huja.
Për të mos harruar, Escobar e Lajçak të hënë vizituan Kosovën.

Kujtojmë se SHBA dhe BE kanë kërkuar nga Kurti që të përshkallëzojë situatën në veri të vendit, të krijojë mundësi për zgjedhje të reja në veri ku do të marrin pjesë edhe serbët si dhe të fillojë punën për zbatimin e Asociacionit./nacionale/

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024