Lajme
Analizë: A po shkelet Kushtetuta nga Kurti me ministrin e tretë të komuniteteve?
Demokracia
19:27 | 22 Mars 2021

Share:

Përfaqësimi i komuniteteve në Qeverinë e Kosovës është adresuar në Nenin 96 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më saktësisht në Nenin 96, Pikat 3, 4, 5.

Në përbërjen e Qeverisë së Kosovës prej 12 ministrave, një ministër obligativisht i takon komunitetit serb dhe një tjetër, komuniteteve të tjera.

Por, nëse Qeveria sikurse tash i ka më shumë se 12 ministri, siç specifikohet në nenin 96.3, atëherë obligim kushtetues është të kemi edhe një ministër të tretë që përfaqëson komunitetet joshumicë, siç përcaktohet edhe me Kushtetutë “Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Pra, Kushtetuta nuk detyron apo nuk obligon që kryeministri patjetër ta caktojë këtë ministër të tretë nga komuniteti serb, sipas germës së Kushtetutës. Megjithatë, Kushtetuta nuk e thotë askund që kryeministri ka diskrecionin ta emërojë ministrin e tretë që vjen nga komunitetet, sipas vullnetit të tij.

Edhe pse deri këtu është e paqartë, ajo që e qartëson është fryma e Kushtetutës, sipas të cilës të drejtat e komunitetit serb kanë një përparësi evidente në krahasim me komunitetet e tjera, për shkak të historisë tragjike të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë (shqiptarëve dhe serbëve), në vijim të të gjitha ndërmarrjeve ndërkombëtare të zgjidhjes së çështjes së Kosovës (prej Konferencës së Rambujesë deri te Procesi i Vjenës), dhe po ashtu, duke marrë parasysh që komuniteti serb është pakica më e madhe në Kosovë.

Edhe përfaqësimi politik i komunitetit serb në institucionet qendrore të Kosovës, duke filluar nga Kuvendi i Kosovës, reflekton këtë fakt (të pjesëmarrjes së serbëve në popullsinë e Kosovës), prandaj nga 20 ulëset e garantuara për komunitete, 10 ulëse i takojnë komunitetit serb dhe 10 ulëse të gjitha komuniteteve të tjera.

Fakt tjetër është që Lista Serbe ka fituar të gjitha këto 10 mandate, në emër të komunitetit serb, në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Dhe, në teori së paku nëse këto 10 mandate të komunitetit serb do të ishin të ndara në disa subjekte që përfaqësojnë këtë komunitet, për shkak të fuqisë politike të një entiteti tjetër që përfaqëson komunitetin boshnjak apo turk, Kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të mund edhe ta emëronte ministrin e dytë nga një komunitet tjetër, që nuk vjen nga komuniteti serb, sepse do të mund të thirrej në argumentin e forcës politike.

Por, kjo listë është subjekti i katërt për nga fuqia politike në Kuvendin e Kosovës, me 10 deputetë.

Dhe, po ashtu, edhe në këtë rast duhet të merrej parasysh përvoja e deritashme në emërimin e ministrave që përfaqësojnë komunitetet në Qeverinë e Kosovës.

Kjo përvojë, që nga Qeveria e parë e Kosovës, e krijuar në vitin 2002 e këndej, është e njëjtë, identike. Pra, gjithmonë ministri i tretë që përfaqëson komunitetet në Qeverinë e Kosovës ka qenë nga komuniteti serb, ndërsa në Qeverinë e re që po pritet të votohet sonte, kjo praktikë po ndryshon.

Nëse kryeministri i ri do ta ndërmarrë megjithatë këtë hap, të emërimit të ministrit të tretë nga komunitetet joserbe, atëherë Qeveria e re do të ballafaqohet me probleme kushtetuese qysh në hapat e parë të saj.

Së pari, ‘Lista Serbe’ nuk do të marrë fare pjesë në Qeverinë e Kosovës, gjë që do ta tërheq me vete mungesën e përkrahjes së deputetëve të saj.

Së dyti, ashtu siç edhe deklaruan përfaqësuesit e saj në Kuvend, nuk ka dyshim që ‘Lista Serbe’ do ta ngritë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me mundësi edhe për ta fituar rastin, i cili do të kishte domethënien që Kryeministri e ka shkelë Kushtetutën.

Këtë vendim të mandatarit për kryeministër provoi ta mbrojë e propozuara për zëvendëskryeministre nga radhët e komuniteteve pakicë, Emilia Redzepi. Megjithatë, mbetet të shihen zhvillimet e ardhshme rreth kësaj çështjeje. /Demokracia.com/

Të ngjashme