Lajme
A po rrezikon Kosova të mbetet jashtë Procesit të Berlinit në 10 vjetor? Gjermania s’i ndal paralajmërimet
Demokracia
17:11 | 18 Shtator 2024

Share:

Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit ndaj Kosovës “ekziston kërcënimi” siç ka thënë presidentja Vjosa Osmani, për përjashtimin e Kosovës nga nismat rajonale në kuadër të këtij procesi, që për kryeministrin Albin Kurti është procesi më i rëndësishëm e i pazëvendësueshëm. Por, paralajmërimet për përjashtim të Kosovës nga ky proces, nuk kanë të ndalur e pasojat për ekonominë e vendit vlerësohet se mund të jenë të pariparueshme.

Pas ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde e të dërguarit të po këtij vendi për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazini, tash edhe ministrja gjermane i ka riktheksuar thirrjet e shtetit të saj për zhbllokimin e CEFTA-s nga Kosova.

Ministrja gjermane e Shtetit për Europën, Anna Luhrmann këto ditë ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, ajo ka shpërndarë një fotografi me kryeministrin Albin Kurti, ku mes tjerash, ka thënë se ia ka bërë të qartë Qeverisë thirrjen për zhbllokimin e CEFTA-s.

“Mirënjohëse për diskutimet e hapura në Kosovë, pranë takimeve të këtij 10 vjetori të Procesit të Berlinit. Ia bëra të qartë Qeverisë se ne i bëjmë thirrje Kosovës që ta mundësojë zhbllokimin e CEFTA dhe ta lejojë avancimin në Tregun e Përbashkët Rajonal për të sjellur përfitime konkrete për njerëzit në Kosovë.” – ka thënë ajo.

Ndërkohë, ditë më parë, emisari gjerman, Manuel Sarrazin ka thënë se do të jetë e vështirë për Kosovën që t’i bashkohet Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian si dhe ka përmendur mundësinë e përjashtimit nga nismat rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkangjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së. Konkretisht për Kosovën mund të jetë pengesë në atë planin CEEPA. Pasojat, pra mund të jenë për popullin, për qytetarët. Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët…” – tha ai në një intervistë për RTK të premtën.

Pasojat e mundshme për Kosovën

Ndërkohë, njohësit e fushë së ekonomisë, kanë theksuar pasojat e mundshme për Kosovën.

Izolim ekonomik, pasoja të pariparueshme në ekonomi e humbjet miliardëshe, janë disa nga sfidat që mund ta presin Kosovën nëse evntualisht ndodhë përjashtimi, shkruan Nacionale.

Balkans Policy Research Group përmes një komunikate ka thënë heqja e ndalesë për mallrat serbe do të ndihmonte në uljen e tensioneve.

“Heqja e ndalimit të mallrave serbe do të ulë tensionet në veri të Kosovës dhe do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me komunitetin serb. Ndërkohë, ndalesat aktuale janë duke e dëmtuar gjithashtu tregtinë me vendet e BE-së. Ndërsa Gjermania dhe të tjerët do të mbështesin Kosovën me skanera të sofistikuar për të monitoruar mallrat që vijnë nga Serbia, të njëjtit gjithashtu duhet të sigurojnë që Serbia të lejojë tregti të lirë dhe lëvizje të papenguar të mallrave nga Kosova.” – thuhet ndër të tjera në komunikatën e tyre.

Gjithashtu, edhe Oda Ekonomike Amerikane ka bërë thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që të të përmbahet nga masat që e përjashtojnë Kosovën nga nismat rajonale.

Ndërkaq, Agimi Shahini kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka thënë se Kosova mund të humbë rreth 1 miliardë euro nga përjashtimi potencial prej Procesit të Berlinit.

“Nëse Kosova përjashtohet nga Procesi i Berlinit mund të humbë rreth 1 miliardë € mbështetje financiare, e cila është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe prosperues për vendin tonë,po ashtu mund të rrisë pasigurinë për investitorët e huaj dhe vendorë, duke ndikuar negativisht në lëvizje e lirë të mallrave dhe kapitalit në tregun e EU dhe në Ballkanin Perëndimor.” – thuhet në reagimin e tij.

Kujtojmë se Gjermania ka propozuar që Kosova t’i largojë masat e sigurisë për mallrat serbe që Kosova të përfitojë ndryshim të statutit të përfaqësimit në CEFTA.

Aktualisht Kosova në CEFTA përfaqësohet si UNMIK.

Të ngjashme