Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka folur për marrëveshjen e përfolur sipas modelit të dy gjermanive. Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Abazi ka thënë se ky lloj modeli është i propozuar në vitin 2006 nga qarqet e Serbisë.
“Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive është model i propozuar në vitin 2006 nga qarqet e Beogradit. Ky propozim në thelb është gabim dhe i papranueshëm”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, Kosova mund të pranojë këtë model në raport me Shqipërinë me perspektivën e bashkimit me Shqipërinë si kundërpërgjigjeje ndaj sabotimit të Serbisë dhe shtrirjes së influencës Ruse dhe Kineze në Ballkan por assesi në raport me Serbinë.
Me këtë deklaratë, duket se Haki Abazi po paralajmëron se kryeministri Albin Kurti, shefi i tij i partisë, do ta refuzojë propozimin gjermano-francez për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi.