Lajme
A po i ‘shantazhon’ ARBK bizneset me vendimin e fundit: Flasin ekspertet e ekonomisë dhe bizneset
Demokracia
23:20 | 31 Mars 2022

Share:

Ditë më parë Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), ka habitur me vendim kur njoftoi se për  hir të transparencës nga tani e tutje do të i bëjë publike të gjitha pasqyrat financiare të bizneseve, mirëpo një gjë e tillë po shihet me shumë skepticizëm nga vetë bizneset dhe nga njohësit e ekonomisë.  Një veprim i tillë po shihet edhe si shantazh për biznese.

“Nuk po dua që financat dhe qarkullimin tim ta sheh një, kinez, a një tjetër nga Serbia, madje as fqinji im nuk dua që të di për çështjet e mia financiare, pasi që ata mund të jenë konkurentët e mi, ndjehem i shantazhuar”, kështu u shpreh L.K i cili ka një biznes me rreth 20 punëtorë në Kosovë, ky i fundit për shkaqe sigurie, na kërkoi që të mbetët anonim

Në lidhje me këtë çështje kanë folur njohësit të ekonomisë për Gazetën Metro, sipas tyre një gjë e tillë duhet të bëhet në konsulta më sektorin e biznesit, dhe jo të merren vendime njëanshëm.

 

Mustafë Kadrijaj njohës i çështjeve ekonomike thotë se një gjë e tillë është dashur të bëhet duke diskutuar me bizneset.

“Vlersoj që kjo duhet të bëhet në konsulta dhe diskutime me shoqatat e biznesit, sepse kjo me të vërtetë është një shantazhim i madh, sepse kjo shpërfaqë nivelin e bizneseve në Kosovë, dhe kjo nënkupton se fuqia e bizneseve në qarkullime nuk qëndron mirë”, tha ai.

E për profesorin universitarë, Safet Gërxhaliu, nuk duhet të bëhet ‘eksperiment’ me sektorin e biznesit në Kosovë.

“Në radhë të parë në Kosovë mungon dialogu publiko-privat, në radhë të dytë sektori privat dhe bizneset nuk duhet të shihen si hapësirë eksperimentale, dhe për vendime të tilla duhet të ketë një bashkëbisedim, bashkërendim dhe një kampanjë vetëdijësuese”, u shpreh Gërxhaliu.

Madje ky i fundit shpreh shqetësimin se me një veprim të tillë, bizneset kosovare mund të jenë cak i sulmeve të ndryshme kibernetike, sipas tij informacionet kanë një rëndësi të veçantë.

“Biznesët mbrojnë privatësinë e vet, dhe se sot lufta më e madhe bëhet në botë për mbledhjen e informacioneve dhe posedimin e tyre, druaj se bizneset kosovare, mund të pësojnë ndonjë sulm kibernetik, dhe duke marrë informacione mund të sulmohet edhe më tepër ekonomia kosovare”, tha profesori i ekonomisë

E profesor Kadrijaj pohon se diçka e tillë është në disfavor të bizneseve të vendit.

“Për shtetet konkurente dalim jo mirë si biznese, dhe dalim keq si Kosovë që jemi jo mirë në të bërit biznes”, tha ai.

Ekonomisti Gërxhaliu sqaron se nëse dikujt i intereson gjendja financiare e një subjekti biznesor, atëherë kjo është e rregulluar me ligjet në fuqi, dhe duhet të bëhet sipas legjislacionit aktual.

“Egziston ligji për qasje në dokumente zyrtare, dhe pasqyrat financiare të çdo biznesi, janë të deponuara në Agjencinë Tatimore të Kosovës, dhe kush do që dëshiron ti shoh pasqyrat financiare të një biznesi mund ta bëjë në përputhje me ligjet në Kosovë”, u shpreh ai.

Për këtë çështje njohësi Kadrijaj ka një kritikë edhe për Qeverinë e vendit.

“Edhe kjo qeveri merr vendime në vetën e parë, dhe nuk përfillë as kërkesat e bizneseve e as të qytetarëve të sajë”, tha njohësi i çështjeve ekonomike.

Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës po thotë që është koha për dialog dhe jo eksperiment.

“Është koha për dialog dhe partneritet dhe jo për eksperiment”, tha Gërxhaliu

Ndryshe këtu mund të lexoni njoftimin nga ARBK

Të ngjashme