Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka shprehur shqetësimin lidhur me rrezikun e humbjes së mjeteve financiare deri në 15 milionë euro nga fondet e Komisionit Evropian, të dedikuara për komunat e Republikës së Kosovës në kuadër të thirrjes IPA III “EU for Good Governance”.
Gjatë implementimit të projektit të Grantit të Performancës Komunale, donatorët ndërkombëtarë si EU, SDC, SIDA dhe Ambasada Norvegjeze kanë qenë kontribuuesit kyç përmes fondeve të tyre të drejtpërdrejta, që kanë sjellë përfitime të prekshme për qytetarët nëpër komuna, duke ndihmuar dhe përmirësuar shërbimet dhe rritur cilësinë e jetesës.
Sazan Ibrahimi nga AKK-ja i tha Telegrafit se në bazë të informatave të siguruara nga AKK, rezulton se Komisioni Evropian ka refuzuar propozimin e dorëzuar nga MAPL, për shkak se ai nuk ka përmbushur standardet dhe kriteret e kërkuara nga BE dhe si pasojë komunat në vitet në vijim do humbin deri në 15 milionë euro.
“AKK, duke qenë partner kyç në zbatimin e projekteve me komunat dhe duke ndjekur me vëmendje këtë proces, ka kërkuar sqarime nga MAPL mirëpo fatkeqësisht, deri më sot, MAPL nuk ka ofruar asnjë sqarim zyrtar, duke lënë komunat pa informim për një çështje me ndikim të madh në zhvillimin lokal.
“Është krejtësisht e papranueshme që komunat e Republikës së Kosovës të penalizohen dhe të mbeten pa fonde jetike, vetëm për shkak të paaftësisë institucionale për të hartuar dhe dorëzuar një propozim serioz dhe në përputhje me standardet evropiane. Refuzimi nga Komisioni Evropian është një sinjal alarmi, jo vetëm për MAPL, por për tërë qeverisjen qendrore”, tha Ibrahimi.
Ai tha tutje se si AKK, ne nuk do të qëndrojnë të heshtur përballë këtij dështimi të rëndë.
“Kërkojmë llogaridhënie të menjëhershme, transparencë të plotë dhe një rishikim urgjent të mënyrës se si trajtohen interesat e komunave në raport me donatorët ndërkombëtarë. Komunat nuk mund të mbeten peng i papërgjegjshmërisë së dikujt që nuk përfaqëson interesin e tyre në mënyrë të denjë.
AKK do të ndërmarrë të gjitha hapat institucionalë për të mbrojtur të drejtën e komunave për të qenë përfituese të drejtpërdrejta të fondeve evropiane, dhe për të siguruar që moskompetenca dhe mungesa e përfshirjes të mos dëmtojë më tej zhvillimin lokal në vend” tha Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK-së.
Nga Asociacioni theksojnë se humbja e këtyre fondeve përbën një dëm serioz duke rrezikuar vazhdimësinë e projekteve që kanë sjellë rezultate të drejtpërdrejta në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Në këtë drejtim, AKK bën thirrje publike për transparencë të menjëhershme, për një hetim të brendshëm institucional mbi procesin e aplikimit dhe për përfshirje të plotë të komunave në çdo fazë të dizajnimit dhe menaxhimit të projekteve që i prekin ato drejtpërdrejt”, thuhet tutje.