Lajme
A po i ftoh Albin Kurti raportet me mikun e madh? SHBA s’përmend më njohjen reciproke, veç normalizimin e marrëdhënieve
Demokracia
15:51 | 15 Shkurt 2023

Share:

Kushte, kokëfortësi e mosdëgjueshmëri. Kjo është sjellja e kryeministrit Albin Kurti ndaj shtetit më mik të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E krejt këto sjellje të Kurtit duket se po ndikojnë në ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës së vogël, shkruan Demokracia.com.

Për pak muaj, drejtues të SHBA-së kanë reflektuar dhe qëndrimi i tyre ndaj Kosovës është më i ftohtë, saqë njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar të zhduket nga diskursi i tyre.

Në letrat që ia kanë dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiq, me aq sa është publikuar nga pjesa ku flasin për dialogun me Kosovën, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe sekretari Anthony Blinken, këtë vit nuk e kanë përmendur njohjen reciproke. Në letrat e fundit, SHBA ka kërkuar vetëm normalizim të raporteve, jo njohje reciproke.

Ato janë në të njëjtën linjë me propozimin evropian për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështesin.

Theksi i këtyre letrave ishte te negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

Në letrën e këtij viti, me aq sa është publikuar në media, Biden nuk e ka përmendur njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në vitin që është para nesh, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e BE-së për normalizim, që do të kontribuojë në krijimin e një të ardhmeje më paqësore dhe me prosperitet për rajonin”, citohet të ketë shkruar Biden.

Në dy vitet e kaluara, prej kur Biden është zgjedhur President i SHBA-së, në letrat e tij drejtuar Kosovës dhe Serbisë ka theksuar se ai e mbështet një marrëveshje mes tyre, që ka në qendër njohjen reciproke.

“Ne mbetemi të vendosur për të mbështetur synimin e Serbisë për anëtarësimin evropian, zbatimin e reformave dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, bazuar në njohjen reciproke”, Biden i kishte shkruar Vuciqit në shkurtin e 2021-s.

Njohjen e ndërsjellë ia kishte përmendur edhe në letrën e një viti më vonë. Meqë Dita Shtetërore e Serbisë është më 15 shkurt, ndërsa Dita e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, Biden u kishte shkruar vjet edhe Vuçiqit, edhe presidentes Osmani se priste njohje reciproke nga marrëveshja.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së gjithashtu varen nga progresi drejt normalizimit të plotë të raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat, siç edhe ju e dini, duhet të bazohen në njohje reciproke”, thuhej në letrën që Presidenca serbe e kishte publikuar një vit më parë.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhej në letrën që Biden ia dërgoi presidentes Osmani në përvjetorin e 14-të të pavarësisë.

Fjalia e theksuar nga presidenti amerikan se marrëveshja finale duhet të jetë e përqendruar në njohjen reciproke, ishte kthyer në argumentin kryesor të Albin Kurtit. Sa herë që ai ka folur për marrëveshjen me Serbinë, ka cituar Bidenin, duke thënë se ai si presidenti amerikan beson që marrëveshja duhet ta ketë “njohjen në qendër”.

Edhe në letrën që sekretari Blinken ia çoi presidentit serb flitet për “normalizimin e raporteve” me Kosovën, pa u përmendur tutje njohja reciproke.

Duke përmendur vizitën që këtë fillimvit e bëri në Prishtinë dhe në Beograd, Blinken ka shkruar:

“Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”.

Blinken në letër paralajmëroi edhe për “kompromise të vështira” nga të dyja palët.

“Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”.

Dy vjet më parë, në letrat e Blinkenit dërguar Vuçiqit vihej theksi të njohja reciproke, të cilën e kërkonte dhe e mbështeste SHBA-ja.

“Vendet tona kanë ndërtuar lidhje të forta gjatë 140 viteve të fundit dhe Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, kishte shkruar Blinken në 2022-ën. /Demokracia.com/

Të ngjashme