OpEd
A po e ndihmon Kina Rusinë që të fshehë paratë nga sanksionet?
Demokracia
13:44 | 25 Mars 2022

Share:

Nga Benn Steil & Benjamin Della Rocca “Foreign Affairs”

Sanksionet do ta ndalojnë makinerinë luftarake të Putinit, u zotua presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Lejen më 26 shkurt, disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë. “Ne do të ngrijmë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë”- theksoi ajo.

Në fakt, që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës, Rusia është goditur me sanksionet më të ashpra me të cilat është përballur ndonjëherë që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Që më 22 shkurt, një ditë pasi Rusia njohu pretendimet territoriale të republikave të vetëshpallura separatiste në rajonin e Donbasit në Ukrainën Lindore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj bllokuan qasjen e kompanive dhe elitës ruse në tregjet perëndimore.

Katër ditë më vonë, pasi Rusia nisi një sulm në shkallë të plotë ndaj fqinjit të saj jugor, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione ndaj Bankës Qendrore të Rusisë dhe i përjashtuan bankat ruse nga SWIFT, platforma me të cilën realizohen transaksionet bankare ndërkombëtare.

Kur po mbyllej java e dytë e pushtimit dhe forcat ruse kishin rrethuan qytetet ukrainase, presidenti amerikan Xho Bajden vendosi ndalimin e importit të naftës dhe gazit nga Rusia. Edhe pse kjo nuk ka ndodhur me vendet e BE-së, dëbimi i Rusisë nga tregjet financiare globale e ka goditur rëndë ekonominë e saj.

Sanksionet e 26 shkurtit i detyruan investitorët ndërkombëtarë të tërhiqen me shpejtësi nga tregjet ruse. Në pak orë, rubla humbi gati një të tretën e vlerës së saj. Duke mos pasur qasje në rezervat e saj valutore, Banka Qendrore e Rusisë i rriti normat e interesit nga 9.5 për qind në 20 për qind, për të reduktuar shitjen e rublës dhe për të ngadalësuar zhvlerësimin e monedhës.

Por presidenti rus Vladimir Putin e nënvlerësoi shumë shkallën dhe shtrirjen e sanksioneve perëndimore për shkak të pushtimit të tij. Pasi kishte grumbulluar 630 miliardë dollarë në rezerva valutore, Putin ishte i sigurt në aftësinë e tij për të përballuar çdo masë ndëshkimore që mund të vendoste Perëndimi ndaj tij.

Dhe tani për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Bankës Qendrore ruse, ai është shkëputur nga mali i tij me para. Apo nuk është tamam kështu?  Kërkimet tona sugjerojnë se Rusia mund të ketë fshehur dhjetëra miliarda dollarë në parajsat fiskale, ku ajo mban letra me vlerë në dollarë, që janë të paprekura nga sanksionet ndërkombëtare.

Ne kemi të dhëna se në 2 periudha të ndryshme – njëra në mesin e vitit 2018-ës dhe tjetra në fundin e  vitit të kaluar, Rusia mund të ketë fshehur deri 80 miliardë dollarë letra me vlerë në parajsat fiskale. Natyrisht shuma e vërtetë mund të jetë akoma më e lartë. Ndërkohë ka sinjale se Rusia mund të ketë zhvendosur disa nga rezervat e saj me ndihmën e një qeverie të huaj.

Në rast se Perëndimi synon që ta detyrojë Putinin të paguajë për veprimet e tij, dhe t’i japë fund agresionit të tij të paligjshëm, atëherë ai duhet të ndjekë paratë. Dhe mund të ketë nevojë për masa të reja që ta pengojë presidentin rus t’i përdorë këto para për ta zgjatur luftën për muaj të tërë

Nuk është ende e qartë se cilët ndërmjetës do të ketë përdorur Rusia për të ruajtur asetet e saj në parajsat fiskale. Por një mundësi e fortë është Kina, me të cilën Putin duket se ka një aleancë të ngushtë. Të dhënat e qershorit 2021, tregojnë se Kina mban 14.2 për qind të rezervave valutore të Rusisë, përqindja më e madhe se e çdo vendi të huaj.

Për më tepër partneriteti i tyre shtrihet shumë përtej sektorit financiare. Në fundin e vitit të kaluar, Rusia dhe Kina zhvilluan një sërë stërvitjesh të përbashkëta ushtarake, dhe bënë deklarata të përbashkëta diplomatike që sulmonin Perëndimin.

Prandaj, ka shumë të ngjarë që Rusia të ketë depozituare 41 miliardë dollarë në renminbi-n kinez ose në monedha të tjera. Pastaj ato mund të jenë shkëmbyer me dollarë. Pra duke anashkaluar sanksionet në këtë mënyrë, Kina dhe Rusia po bashkëpunojnë për të zbehur ndikimin financiar dhe politik të sanksioneve perëndimore.

Në fillim të dhjetorit 2001, administrata Bajden bëri publike disa raporte të shërbimit sekret që parashikonin pushtimin e Ukrainës nga Putin. Por qeveria amerikane publikoi të dhënat e saj për rritjen e çmimit të bonove në tregjet ndërkombëtare vetëm 9 ditë përpara se Rusia të niste sulmin e saj në shkurt.

Hulumtimi ynë ka zbuluar se qeveritë perëndimore mund të mos bëjnë gjithçka që munden përtë mbyllur tërësisht qasjen e Rusisë tek dollarët që i nevojiten për të financuar luftën e saj në Ukrainë. Por ne besojmë se thelbi qëndron tek paratë ruse që rrjedhin në Moskë nga Brukseli dhe Pekini.

Ndërsa sanksionet financiare bëhen arma e preferuar e Perëndimit për t’u përballur me autokracitë agresive, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të integrojnë më mirë strategjitë ndërkufitare të “ndjekjes së parave” në arsenalin e tyre diplomatik dhe ushtarak, në mënyrë që të kenë sukses.

Strategji të tilla, mund t’i ndihmojnë autoritetet që të mbyllin boshllëqet në sanksionet ekzistuese, të zbulojnë dhe kufizojnë transaksionet evazive nëpërmjet ndërmjetësve financiarë dhe t’i penalizojnë aktorët shtetërorë dhe palët e treta që i minojnë sanksionet globale.

Të ngjashme