Lajme
A po e krijon Partinë e të Gjelbërve, Haki Abazi? – Maloku: S’guxon Hakia me m’thirrë
Demokracia
17:03 | 07 Dhjetor 2021

Share:

Brenda Lëvizjes Vetëvendosje, për deputetin Haki Abazi po përflitet se është duke e shqyrtuar mundësinë që ta krijojë një subjekt të ri politik, i cili do të merret kryesisht me çështje ambientale.

Sipas burimeve brenda këtij subjekti politik, Abazi po dëshiron që ta vazhdojë aktivitetin e tij politik, por tashmë me një parti të re që e udhëheq vetë, e cila do të jetë edhe pjesë e partive të gjelbra evropiane.

Në Lëvizjen Vetëvendosje tashmë po përflitet se Abazi së bashku me 2 bashkëpartiakë të tij mund ta rikthejnë Partinë e të Gjelbërve, por aktualisht ky subjekt nuk është aktiv për shkak të një vendimi nga Gjykata.

Deri me tani, kreu i kësaj partie, Daut Maloku, thotë se nuk ka marrë një ofertë të tillë nga Abazi.

I kontaktuar nga Demokracia.com, Maloku ka thënë se Abazi nuk guxon ta kontaktojë atë për një gjë të tillë. Megjithatë, ai nuk e ka mohuar faktin se Abazi mund të kontaktojë me të përmes, siç e ka thënë ai, ndonjë mesiti.

“Kush Haki Abazi a? Haki Abazi nuk guxon me fol me mua, s’ma merr mendja, e njoh unë atë. Tjerët liderë po. Na jemi aq të kërkuar saqë nuk ka parti të madhe që nuk na kanë kërkuar bashkëpunim. Jo assesi, Hakia nuk guxon mem telefonu, ishalla nuk ja ka qorru zoti sytë e më e bë hor. Jo, jo, nuk ka provu. Ai mundet me çu najfarë mesiti, por nuk besoj, ai i dinë principet e mia”, ka thënë Maloku.

Maloku tutje për Demokracia.com ka treguar se aktualisht puna e Partisë së Gjelbër është pezulluar, duke shtuar se është duke e planifikuar një rikthim në pranverë.

“Është pezulluar një kohë për shkak të pezullimit nga KQZ-ja. Dmth edhe nga Gjykata, edhe nga PZAP-ja. Ne kemi marrë pjesë në 3 palë zgjedhje. Zgjedhjet janë të mira, por politikat janë radikale. Edhe pandemia sigurisht ka ndikuar. Ne duhet me e bë një fushatë, me u kthye në skenë, duhet prapë me u regjistru, me i marrë nja 5 mijë nënshkrime, edhe fillojmë dikur kah pranvera i rikthehemi agjendës”, ka thënë Maloku.

Megjithatë, kjo është mohuar edhe nga vetë deputeti Abazi.

I kontaktuar nga Demokracia.com, Abazi ka thënë shkurtër se kjo nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtetë. Nuk kam kontaktuar me asnjë parti”, ka thënë Abazi.

Ndryshe, kohët e fundit është raportuar për një ftohje të raporteve dhe pakënaqësive të Abazit me partinë.

Një gjë e tillë u konfirmua edhe kur Abazi bojkotoi Seancën e Kuvendit të Kosovës, për disa arsye që tha se ia kishte transmetuar lidershipit të partisë.

Ish-zëvendëskryeministri, i cili më 23 nëntor mungoi në Kuvend, kishte thënë se ka një sërë faktorësh që e kanë shtyrë ta bënte atë veprim.

Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte konfirmuar se ka pakënaqësi, duke thënë se i di problemet e tij dhe se janë të zgjidhshme.

‘’Nuk i di të sakta, por ka thënë se do të bashkëbisedoj me kryeministrin dhe shefen e grupit parlamentar. Është zgjedhja e tij, por nuk ka diçka personale që me thanë që do të shkaktojë pasoja për grupin parlamentar. Të gjitha problemet që i ka janë të zgjidhshme” , kishte thënë Konjufca.

Po ashtu, më 30 nëntor, Abazi e pati edhe një përplasje me deputeten nga partia e tij, Fitore Pacolli, gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme.

Kur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, po kërkonte nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, që të përgjigjej në pyetjet që i parashtroi ai, në mbledhjen raportuese të saj, Pacolli e tërhoqi vërejtjen, që siç tha ajo, të diskutojnë për çështje profesionale.

“Ne detyrohemi me e lëshu sallën dhe me e lanë pa kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen, sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është  puna e ministres që po raporton e jo çështje personale të juaja”, kishte thënë Pacolli.

E pas kësaj deklarate të Pacollit, kishte reaguar Abazi.

Ai i tha Pacollit se është e drejtë e deputetëve që të parashtrojnë pyetjet që duan pavarësisht përgjigjeve të ministres. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme