Lajme
A po e jetëson KQZ-ja me Rregullore idenë e Osmanit për zgjedhjet në veri? VV-ja kundër, thotë se duhet ligj
Demokracia
15:30 | 26 Qershor 2023

Share:

Tema për zgjedhjet e reja në katër komunat e veriut të Kosovës është kthyer në tryezën e mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në kohën kur edhe spektri politik po e përmend një mundësi të tillë.

Shkas për debat rreth këtyre zgjedhjeve në mbledhjen e së hënës në këtë institucion është bërë një proces që KQZ-ja nisur, ai për harmonizimin e rregulloreve zgjedhore pas miratimit të ligjit të ri për zgjedhjet nga Kuvendi i Kosovës vetëm pak ditë më parë.

Pjesë e këtij procesi pritet të përfshihen disa prej rregullave zgjedhore, pasi me ligjin e ri të miratuar në Kuvend janë bërë ndryshime në procesin e votimit jashtë vendit, numërimit të fletëvotimeve, e të tjera.

Në këtë mbledhje, anëtarët e KQZ-së reaguan ndaj një njoftimi se Sekretariati i KQZ-së është në procesin e draftimit të rregullores për referendume. Anëtarët e KQZ-së theksuan faktin se një rregullore e tillë nuk mund të hartohet nga KQZ-ja derisa Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Ligjin për Referendume.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi sqaroi se emërtimi i tillë është i gabuar, por qëllimi është tjetër. Sipas tij, gjatë procesit të harmonizimit të rregulloreve të reja zgjedhore duhet të hartohet edhe një rregullore zgjedhore për përgjegjësitë e KQZ-së që dalin nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale.Radoniqi citoi nenin 72 të këtij ligji, ku flitet për mënyrën se si qytetarët mund ta largojnë kryetarin e një komune, dhe se ajo duhet të paraqitet në institucionin që administron votimin, në këtë rast në KQZ. Sipas tij, KQZ-së i duhet një rregullore për këtë çështje, dhe tani është koha e duhur meqenëse do të trajtohen edhe rregulloret për çështje të tjera, për t’u harmonizuar me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme.

“Krejt po pajtohemi që emrin nuk e ka të duhur për pjesën tjetër do të diskutojmë. Do ta diskutojmë atë pjesë tutje, pra emrin duhet që ta ndërrojmë”, tha Radoniqi. Ideja që një kryetari mund t’i përfundojë mandati nga qytetarët, ashtu siç parashihet në nenin 72, është përmendur kohëve të fundit në rastin e kryetarëve të katër komunave të veriut të Kosovës, e që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja atje.

Ka qenë vetë presidentja Vjosa Osmani që në takimin me kancelarin gjerman, Scholz dhe presidentin francez, Makron, e kishte përmendur Nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale si një rrugë që mund të shpie në zgjedhje të reja në këto komuna.“…dhe unë i informova se korniza jonë ligjore e lejon këtë mundësi dhe ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë atë në përputhje me ligjin e Kosovës për zgjedhjet. Kjo do të thotë se qytetarët serbë, rreth 20% e tyre që janë në listat zgjedhore, mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes kësaj, ata mund të inicojnë procesin e zgjedhjeve të reja dhe ne jemi të gatshëm të zbatojmë ligjin…”, kishte njoftuar ajo pas takimit në fillim të muajit qershor. Por, hartimi i një rregulloreje të tillë për referendume, pa një ligj për referendumin të miratuar në Kuvendin e Kosovës, është kundërshtuar nga anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqi, i cili ka lënë të kuptohet se kjo ide mund të ketë ardhur nga ndonjë ambasador.

“Qëndrimi i tyre për një çështje të caktuara nuk e kemi të rregulluar me ligj, edhe unë kështu e konsideroj, kushdo që ka mundur ta ketë një kërkesë mendoj që kërkesën duhet që ta drejtoj të Kuvendi i Kosovës edhe Kuvendi duhet që të nxjerre edhe ligjin për referendumin, por që rregullon edhe çështje të tilla. Por ne nuk e kemi me bazë ligjore aktuale, unë nuk e shohë që mundemi me organizuar mbarëvajtjen e çfarë do procesi të tillë pa u rregulluar me një bazë ligjore paraprakisht. Ndoshta ata ithtarët e zgjidhjeve të shpejta i kuptoj që dëshirojnë kështu por nuk besoj që janë prej institucioneve tona por ndodh te edhe kemi prezent këtu se i kam dëgjuar të cilët kërkojnë që në emër të zgjidhjeve të shpejta me na nëpërkëmbë edhe Kushtetutën, këtë që e kemi që edhe kjo është e nëpërkëmbur edhe atë. Mendoj që nuk jemi servisë i çfarëdo diplomati që na vije këtu edhe të na kallxoj se si të sillem e çka të hamë në mëngjes, e çka në drekë e çka në darkë”.

“Jemi në mesë të Evropës dhe lutemi që të na lejoni që të sillemi si të tille, mos na detyroni me ju thënë hapur që ju rrini të pozitat e juaja, ne rrimë të pozitat e tona dhe përgjegjësit tona Kushtetuese. Lexoni mirë edhe ato para se të bëni ndoshta presion në institucionin tonë se si me vepruar në baza ditore dhe çështje të caktuara. Nuk mund që ai proces të rregullohet pa një ligj, nëse ka presion si çdo herë ka presion është çështje tjetër, përndryshe nuk mund të rregullohet kjo pa ekzistencën e një ligji bazë tjetër ligjore, sepse kjo rregullon vetëm peticioni si të tillë. Por jo procesin e dytë që vjen”, tha Krasniqi.

Edhe anëtarë tjerë folën për këtë temë. Në mbledhjen e sotme, KQZ-ja ka miratuar edhe planin strategjik për periudhën 2023-2026 dhe planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nga Auditori i Përgjithshme.

Të ngjashme