OpEd
A po dëmtojnë sanksionet më shumë Perëndimin sesa Rusinë?
Demokracia
10:02 | 07 Korrik 2022

Share:

Nga Brahma Chellaney “The Hill”

Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e tij të pestë, udhëheqësit perëndimorë kanë filluar ta pranojnë, edhe pse jo publikisht, se sanksionet e tyre të paprecedentë kundër Moskës po dëmtojnë seriozisht ekonomitë e vendeve të tyre, pa e dëmtuar ndjeshëm makinerinë luftarake të Kremlinit. Siç e nënvizuan edhe samitet e fundit të G7-ës dhe NATO-s, udhëheqësit perëndimorë

po përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të frenuar presidentin rus Vladimir Putin. Në fakt, pasojat e sanksioneve të udhëhequra nga SHBA-ja kundër Rusisë, i kanë dhënë fund epokës së naftës dhe gazit të lirë, dhe kanë sjellë rritjen e inflacionit, ndërprerje serioze të zinxhirit të furnizimit, dhe një recesion të afërt ekonomik në Perëndim.

Në vendet më të varfra, me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve, sanksionet po kërcënojnë jetesën dhe stabilitetin politik. Historikisht, sanksionet kanë prodhuar pasoja të paqëllimta dhe të padëshirueshme. Gjithsesi, ato janë shndërruar në mjetin politik të preferuar për Shtetet e Bashkuara.

Sanksionet e udhëhequra nga SHBA-ja ndaj vendeve relativisht të vogla dhe të cenueshme ekonomikisht si Kuba, Irani, Koreja e Veriut, Siria dhe Venezuela, nuk kanë arritur ta ndryshojnë sjelljen e tyre. Por ky realitet nuk ndikoi në uljen e pritshmërive strategjike të udhëheqësve perëndimorë, kur ata nisën një luftë hibride gjithëpërfshirëse, të fokusuar tek sanksionet, kundër Rusisë, një vend kryesor i prodhimit të mallrave ushqimore, dhe me arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë.

Sa më e madhe madhësia gjeografike dhe aftësia e vendit të synuar, aq më i vogël është zakonisht efekti parandalues ​​i sanksioneve. Sikurse po e zbulon tanimë Perëndimi, sanksionet kundër një shteti të madh dhe të fuqishëm, sjellin jo vetëm kosto të mëdha për vendet që i imponojnë ato, por shpërblejnë edhe vendet që refuzojnë t’i zbatojnë ato.

Në fakt, sanksionet i kanë dhënë Rusisë një fitim të papritur të madh nga eksportet e energjisë me çmim të lartë, të cilin nuk mund ta ndalë as vendosja e një kufiri mbi çmimin nga ana e Perëndimit. Kufizimet gjithnjë e më të dukshme të qasjes së sanksioneve kundër Rusisë, po nxjerrin në pah kufijtë e fuqisë perëndimore.

Teksa fuqia ekonomike po zhvendoset drejt lindjes, Perëndimi ka nevojë më shumë se kurrë për një gamë të gjerë partnerësh ndërkombëtarë, në mënyrë që të bëjë diferencën. Por pjesa më e madhe e botës jo-perëndimore, nuk i është bashkuar fushatës së sanksioneve të Perëndimit.

Të gjitha demokracitë kryesore në Jugun Global, Izraeli dhe shtetet arabe të Gjirit Persik, kanë refuzuar të marrin anë në konfliktin NATO-Rusi. Leksioni kryesor nga agresioni rus,  është se kërcënimet e presidentit Biden për ta ndëshkuar rëndë ekonomikisht, nuk arritën ta pengonin Putinin nga nisja e një pushtimi gjithëpërfshirës. Dhe vendosja e sanksioneve perëndimore ka pasur pak efekt në fushatën ushtarake të Rusisë.

Por duke e shpërfillur këtë leksion, zërat gjithnjë e më të fortë për marrjen e më shumë veprimeve ndëshkuese, kanë çuar në rritjen e vazhdueshme të sanksioneve kundër Rusisë, dhe në një fluks më të madh ndihme ushtarake për Ukrainën.

Nga ana tjetër, Rusia ka pushtuar tashmë një të pestën e Ukrainës, vendi më i madh brenda Evropës pas Rusisë, siç e pranoi javën e kaluar edhe Avril D.Haines, drejtoresha e inteligjencës kombëtare në SHBA. Por ajo që nuk përmendi Haines është fakti se Rusia kontrollon tani edhe qendrën industriale të pasur me minerale të Ukrainës, më shumë se 90 për qind burimet e saj energjetike (përfshirë të gjithë naftën në det të hapur) dhe pjesën më të madhe të infrastrukturës së saj portuale dhe detare. Po ashtu, Rusia ka krijuar një urë tokësore me rëndësi strategjike për në Krime, dhe e ka shndërruar Detin Azov në ujërat e saj të brendshme.

Biden u mburr shumë herët në muajin mars, se sanksionet po “e shkatërronin ekonominë ruse” dhe se “rubla ka pësuar kolaps”. Fakt është se fushata e sanksioneve kundër Rusisë nuk ka qenë shumë efektive, dhe makineria e luftës të Putinit nuk ka treguar asnjë shenjë ngadalësimi.

Një nga arsyet kryesore është se financat e Rusisë mbeten të forta. Pavarësisht se qeveritë perëndimore kanë ngrirë rreth 400 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore Ruse, dhe të paktën 240 miliardë dollarë pasuri private, Moska zotëron afro 300 miliardë dollarë në valutë të huaj dhe rezerva ari. Rubla, ka arritur aktualisht nivelin më të lartë të 7 viteve të fundit përkundrejt dollarit.

Diskursi perëndimor ka nisur të përballet më në fund me realitetet e pakëndshme. Pretendimet se “Rusia po humbet”, dhe se “Putinit po i mbarojnë opsionet për të shmangur humbjen”, i kanë lënë vendin shqetësimit të hapur, se pavarësisht sanksioneve të pashembullta ndaj Moskës dhe armatimit të furishëm të Ukrainës, Rusia do të fitojë një kontroll të përhershëm mbi territoret e Ukrainës, duke dëshmuar kësisoj dhe pa asnjë mëdyshje se agresioni funksionon.

Nga ana tjetër, kjo gjë ka të ngjarë ta inkurajojë Kinën të sulmojë Tajvanin, duke e përfshirë potencialisht SHBA-në dhe aleatin e saj Japoninë në një konflikt, pasojat gjeopolitike dhe kostoja ekonomike dhe njerëzore e të cilit, mund të jetë më i madh se ai nga lufta në Ukrainë.

Ashtu si Putini që ishte i qartë për planet e tij për pushtimin e Ukrainës, edhe presidenti kinez Xi Jinping ka qenë i qartë për ribashkimin me forcë të Tajvanit, një zhvillim që do të ngulte “gozhdën” e fundit në “arkivolin” e epërsisë globale të Amerikës, raporton abcnews.al.

Fakti që fushata e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë ka qenë kryesisht joefektive, vetëm sa do të inkurajojë axhendën ekspansioniste të Xi. Xi sapo zhvilloi një vizitë triumfale në Hong Kong, pasi ktheu me shpejtësi në një shtet policor represiv një nga qytetet më të lira të Azisë.

Ashtu si ekspansionizmi i tij në Detin e Kinës Jugore dhe Himalaja, Xi e gjunjëzoi Hong Kongun pa pasur asnjë kosto ndërkombëtare. Kur sanksionet kanë rezultuar të paefektshme në ndryshimin e sjelljes së Rusisë, çdo sanksion i ngjashëm ndaj Kinës do të kishte pasoja edhe më negative, pasi ekonomia e kësaj të fundit është rreth 10 herë më e madhe se ajo ruse.

Udhëheqësit perëndimorë e mbivlerësuan kapacitetin e tyre për ta minuar ekonominë ruse dhe rrëzuar Putinin, në një kohë që e nënvlerësuan qëndrueshmërinë e një vendi që historikisht ka duruar dëme të jashtëzakonshme ekonomike dhe njerëzore (përfshirë ato të Luftën e Dytë Botërore) për hir të objektivave të tij strategjikë.

Disa nga dhimbjet ekonomike të Perëndimit janë të vetë-shkaktuara. Në një kohë kur furnizimet globale janë tashmë të pakta, vendimi i Evropës për të kaluar nga energjia e lirë ruse tek furnizimet alternative, ka çuar në çmime ndërkombëtare stratosferike, dhe në një garë të egër për të gjetur burime të reja furnizimi, përveç nxitjes së një konkurrence të kushtueshme me ekonomitë e lulëzuara të Azisë, konsumatori më i madh i energjisë në botë.

BE ka rënë dakord për një kalendar, për të hequr gradualisht dorë nga nafta dhe gazi rus. Por Moska synon ta sabotojë këtë plan. Në kushtet kur çmimet e gazit në Evropë janë tashmë 6 herë më të larta nga një vit më parë, një ndërprerje e mundshme e furnizimeve me gaz nga Rusia për ta ndëshkuar BE-në për sanksionet, do ta ndërlikojë më tej situatën ekonomike.

Në SHBA, rritja e çmimeve të benzinës, naftës dhe gazit natyror, ka rritur ndjeshëm çmimet, ndërsa prodhuesit amerikanë të energjisë synojnë të përfitojnë nga situata, duke ia shitur produktet e tyre atyre që ofrojnë çmimin më të lartë. Ndërkohë, rritja e çmimeve ndërkombëtare të ushqimeve, po kontribuon në një problem alarmues të urisë në vendet e varfra.

Pushtimi rus ka bllokuar eksportet kryesore të Ukrainës, vajin e lulediellit, misrin dhe grurin. Por me pasojë më të rënda në nivel global, është ndërprerja për shkak të sanksioneve e eksporteve të plehrave kimike dhe grurit nga eksportuesi nr.1 në botë i të dyjave, Rusia.

Përballë krizave globale të ushqimit dhe energjisë, Perëndimi rrezikon ta humbasë betejën ndërkombëtare të narrativave. Kjo mund të shpjegojë arsyen pse administrata Biden, pavarësisht një qasjeje tërësisht ndëshkuese ndaj Rusisë, po i shkruan tani “letra ngushëllimi” kompanive ndërkombëtare, duke i siguruar ato se s’do përballen me ndëshkime për importimin e plehrave dhe drithërave ruse.

Akti i Tarifave Smoot-Hawley i vitit 1930 në SHBA, i rriti ndjeshëm tarifat e importit, nxiti hakmarrjen nga vendet e tjera, e thelloi Depresionin e Madh, ndihmoi në rritjen e ekstremizmit politik, që nga ana e tij mundësoi ngjitjen në pushtet të Adolf Hitlerit.

Tani ekziston rreziku që në vend të kolapsit të dëshiruar ekonomik dhe ndryshimit të regjimit në Rusi, fushata e sanksioneve perëndimore ta transformojë gjeopolitikën globale, duke provokuar një reagim nacionalist rus, dhe duke e çimentuar aksin Kinë-Rusi.

Të ngjashme
OpEd • 18 Prill 2024