Lajme
A negocioi KFOR-i për tërheqjen e grupit të Radoiçiçit – komiteti i NATO-s konstaton, misioni paqeruajtës e mohon, qeveria hesht
Demokracia
21:37 | 26 Maj 2024

Share:

Në një draftraport të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Asamblesë Parlamentare të NATO-s kushtuar ngjarjeve të vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës, pretendohet se zyrtarë të misionit paqeruajtës (KFOR) negociuan gjatë orëve kritike me autoritetet kosovare për tërheqjen e grupit të armatosur serb që sulmoi policinë e Kosovës fundshtatorin e 2023-s.

Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në draftraportin që e prezantoi gjatë sesionit pranveror në Sofje të Bullgarisë, citoi një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) në të cilin pretendohet se KFOR-i negocioi për tërheqjen e sulmuesve serbë pas terrorizmit të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në veri të vendit.

Në draftraportin “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s” përfshihen edhe detaje nga raporti i mëparshëm i ICG-së, në të cilin jepen hollësi për sulmin vdekjeprurës të paramilitarëve serbë në veriun e trazuar të vendit – tre nga sulmuesit u neutralizuan nga Policia e Kosovës, disa u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën maleve për në Serbi.

“Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë ishin duke u fshehur në malet mes Banjskës dhe kufirit serb, si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme”.

Megjithatë, misioni i KFOR-it mohoi pretendimin e ICG-së – një organizatë jo pa nam – që çuditërisht u përfshi edhe në draftraportin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në reagimin e KFOR-it, gjatë së dielës, thuhet se kjo nuk është e vërtetë ngase misioni “në asnjë moment nuk u përfshi në negociatat e supozuara” për arratisje.

Asambleja Parlamentare e NATO-s nuk është organ zyrtar i NATO-s, por ajo miraton raporte dhe rezoluta për të gjitha çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. E draftraporti në fjalë pritet të miratohet të hënën (nesër, 26 maj), ku do të votohet gjithashtu në favor apo kundër kërkesës së Kosovës që t’i avancohet statusi në këtë instititucion nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

Ndryshe, rreth tetë muaj pas sulmit të përgjakshëm në veri, mbetet e paqartë se si mbi 40 sulmues arritën të largohen nga rrethimi i policisë, përfshirë ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, ndaj të cilit ekziston një fletarrest ndërkombëtar i lëshuar nga INTERPOL-i. Autoritetet e Kosovës nuk janë deklaruar rreth pretendimit se KFOR-i ndërmjetësoi ikjen e sulmuesve.

Të ngjashme