Negociatat e tensionuara dhe të vështira vijojnë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo në një përpjekje për të thyer ngërçin që gjymton autoritetin më të fuqishëm vendimmarrës në botë – ndërsa vdekja dhe dëshpërimi bien mbi Gazën.
“Al Jazeera” ka mësuar se ambasadorja e Maltës në OKB, Vanessa Frazier, ka shpërndarë një rezolutë të re midis anëtarëve të Këshillit për shqyrtim dhe një votim të mundshëm, duke shpresuar që më në fund të miratojë një rezolutë për luftën në Gaza.
Kjo, pas përpjekjeve të dështuara gjatë muajit të kaluar.
Malta është një nga 10 anëtarët e zgjedhur të Këshillit dhe ka qenë mbajtësi i penës për fëmijët në konflikt të armatosur që nga viti 2022.
Ky pozicion i jep mundësinë Maltës të luajë një rol udhëheqës në përpjekjet e KS të OKB-së për të mbrojtur fëmijët në zonat e konfliktit.
Burime diplomatike i kanë thënë “Al Jazeera” se kjo rezolutë e re po hartohet me fokus fëmijët me shpresën që të 15 anëtarët e KS të mund të bien dakord për mbrojtjen e fëmijëve në konfliktin e vazhdueshëm.
Të premten, Adele Khodr, drejtoresha rajonale e UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, tha se “e drejta e fëmijëve për jetë dhe shëndet po mohohet”.
Agjencia e OKB-së vazhdoi të paralajmërojë se jetët e një milion fëmijëve në enklavën e rrethuar janë “varur nga një fije” pasi shërbimet shëndetësore të fëmijëve pothuajse po shemben në të gjithë Rripin e Gazës.
Ekziston një shpresë e përtërirë që KS më në fund do t’i përgjigjet luftës në Gaza.
SHBA-të thonë se janë duke u angazhuar në mënyrë aktive me anëtarët e zgjedhur – Shqipërinë, Brazilin, Ekuadorin, Gabonin, Gana, Japoninë, Maltën, Mozambikun, Zvicrën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kjo është e rëndësishme sepse fuqia e vetos ka qenë një nga arsyet pse disa nga rezolutat e mëparshme të Këshillit kanë dështuar që nga shpërthimi i dhunës më 7 tetor.
Por, si gjithmonë, në Këshill, ka shumë debate për gjuhën e saktë të rezolutës.
Rusia dhe Kina kanë vënë veton ndaj një rezolute të SHBA që bën thirrje për një “pauzë humanitare”, një frazë që sugjeron se ajo do të ishte e kushtëzuar dhe e kufizuar në kohë.
Shumica e pjesës tjetër të Këshillit dëshiron që rezoluta të përfshijë fjalën “armëpushim”.
Zgjedhja e një fjale të vetme në rezolutë – pauzë ose armëpushim – ka nënkuptuar një ngërç në organin më të lartë të OKB-së, të autorizuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Me rezolutën malteze, thanë burimet për “Al Jazeera”, një pyetje kyçe që mund të lindë për debat është kohëzgjatja e pauzave në luftime.
Grupet humanitare, madje edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kanë thënë se pushimet katër-orëshe për të cilat Izraeli ka rënë dakord aktualisht nuk janë të mjaftueshme për të lehtësuar vuajtjet humanitare në mënyrë domethënëse.
Megjithatë, është e paqartë nëse SHBA do të bien dakord për pauzat që zgjasin disa ditë në një farë mase. Megjithatë, një gjë ka ndryshuar që nga rezolutat e mëparshme.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila përfaqëson të gjitha vendet anëtare të OKB-së, ka shprehur mendimin e saj të qartë, duke bërë thirrje për një armëpushim humanitar që kaloi më 27 tetor me 120 vota nga 193 anëtarë. Një rezolutë e tillë nuk është detyruese, por ka peshë morale.