Lajme
A mund të mbetet Kuvendi pa kryetar? | Konjufcës i rrezikohet mandati i deputetit, Kurti e Haxhiu ishin dënuar për veprën e njëjtë
Demokracia
12:45 | 21 Shkurt 2024

Share:

Së shpejti, Kuvendi i Kosovës mund të mbetët pa kryetar.

Kjo për shkak se procesi gjyqësor kundër kryeparlamentarit aktual, Glauk Konjufca, po shkon drejt fundit, shkruan Demokracia.com.

Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje po përballet me akuzën që si deputet i Kuvendit të Kosovës, në vitin 2016, sipas së cilës, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur gaz lotsjellës që kategorizohet si armë me kodin penal.

Glauk Konjufca sot del para gjykatës

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër që dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Për veprën e njëjtë me të cilën akuzohet Konjufca, në vitin 2019 janë shpallur fajtorë dhe bashkëpartiakët e tij nga Vetëvendosje, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, të cilët për shkak të kësaj nuk kishin arritur as të kandidonin për deputetë në zgjedhjet e vitit 2021.

Deputeti Albin Kurti ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg për shkak të përdorimit të armës dhe 6 muaj për pengim të personit zyrtar. Edhe Albulena Haxhiu ishte dënuar gati sa Kurti, me 1 vjet e 2 muaj burgim për shkak të përdorimit të armës dhe 4 muaj për pengim të personit zyrtar. Këto dënime ishin me kusht, me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

KUR E HUMB MANDATIN NJË DEPUTET SIPAS KUSHTETUTËS?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shumë e qartë në nenin 70 të saj kur flet për mandatin e deputetëve, ashtu si edhe për mbarimin e mandatit apo kur bëhet i pavlefshëm.

Sipas pikës 6 të paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse “dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim”.

GJYKATA KUSHTETUESE: TË DËNUARIT AS NUK MUND TË FITOJNË DHE AS TË USHTROJNË MANDATIN E DEPUTETIT

Çështja e mandatit të deputetit Konjufca, nëse i njëjti shpallet fajtor ashtu si bashkëpartiakët e tij Kurti dhe Haxhiu, nuk ka pikëpyetje, pasi Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar një rast të tillë dhe përgjigjet janë dhënë qartësisht në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO95/20.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në Aktgjykimin e saj në rastin nr. KO95/20 me Parashtrues Liburn Aliu dhe 16 deputetë të tjerë, ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të 3 qershorit 2020, për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin, shkruan Demokracia.com.

Vetëvendosje kërkonte asokohe që të vihej në funksion pikërisht pika 6 e paragrafit 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Kosovës dhe të shpallej vota e deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti si e pavlefshme për shkak se deputetit në fjalë i kishte mbaruar mandati, pikërisht për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë të Gjykatës.

Demokracia.com sjell disa nga konstatimet e Gjyaktës Kushtetuese në rastin e deputetit Etem Arifi, të cilat e qartësojnë se qëllim i përbashkët i nenit 70.3.6 të Kushtetutës së Kosovës apo edhe të neneve tjera, është që personat e dënuar për vepra penale me vendime gjyqësore të formës së prerë “të mos mund të ushtrojnë mandatin e deputetit nëse janë të dënuar me një apo më tepër vite burgim, me një vendim gjyqësor të formës së prerë, të vlefshëm në Republikën e Kosovës”. [Pika 260].

Në Aktgjykimin e asaj kohe, Gjykata Kushtetuese kishte cituar edhe Komisionin e Venecias që i referohet praktikës së GJEDNJ, sipas të cilës “kufizimet në të drejtën për t’u zgjedhur duhet të kufizohen në atë çfarë është e nevojshme për të siguruar funksionimin e duhur dhe ruajtjen e qeverisjes demokratike. Ky funksionim do të rrezikohej më seriozisht nga një zyrtar i zgjedhur sesa nga një votues. Kufizimet në fjalë nuk duhet të konsiderohen si kufizim i demokracisë, por si ruajtje e saj”. [Pika 264].

Gjykata Kushtetuese i është referuar edhe më poshtë Komisionit të Venecias, i cili thekson se “ligjshmëria është element i Sundimit të Ligjit dhe nënkupton që ligji duhet të respektohet nga individët dhe autoritetet. Ushtrimi i funksionit politik nga personat të cilët kanë shkelur ligjin në mënyrë serioze vendos në rrezik zbatimin e këtij parimit [sundimit të ligjit], që është njëri nga parakushtet e demokracisë, dhe për këtë arsye rrezikon natyrën demokratike të shtetit”. [Pika 295].

Ky konstatim përsëritet edhe në pikën 296 dhe 298 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. /Demokracia.com/

Të ngjashme