Lajme
A mund të kushtëzohet në Kosovë vaksinimi kundër virusit?
Demokracia
19:00 | 06 Gusht 2021

Share:

Tashmë e disa muaj në vend po bëhet thirrje për vaksinim masiv, mirëpo ende ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që hezitojnë të imunizohen. Shqetësimi u rrit me refuzimin e mësimdhënësve që të vaksinohen, gjë për të cilën u diskutua shumë.

Kjo çështje u përmend të martën në një takim mes ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari.

Pas këtij takimi, Jashari për Demokracia.com tha se edhe nëse të ardhmen do të bëhet kushtëzim vaksinimi, kjo nuk duhet të vlejë vetëm për mësimdhënësit.

‘’Në takimin me ministren Nagavci i kemi përmendur edhe vendet ku ka kushtëzim të vaksinimit. Qeveria e Kosovës mund të sjell një vendim për kushtëzime, dhe jemi dakorduar edhe me Nagavcin që kushtëzimi të jetë edhe për sektorët e tjerë si ata shëndetësor, policinë etj. në mënyrë që askush të mos ndjehet i cënuar’’, përfundoi Jashari për Demokracia.com.

Ndërkaq, ministrja Nagavci edhe sot ka bërë thirrje tek mësimdhënësit që të vaksinohen, megjithatë, tha se nuk mund të merren masa ndaj atyre që nuk e bëjnë këtë.

“Bëjmë thirrje për mësimdhënës që të vaksinohen. Mendoj që ka qenë vit i vështirë dhe në kohën e pushimit nuk i kanë kushtuar rëndësinë e nevojshëm. Ndërsa me afrimin e vitit të ri shkollor është rritur interesimi i tyre për vaksinim.

Përveç në sektorin e arsimit, edhe nga ata që çdo ditë përballen me Covid-19, infermierët, ka ende të pavaksinuar.

Nga gjithsej 19 mijë e 600 infermierë, mami dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë, vetëm 13 mijë e 217 janë vaksinuar.

‘’Deri më datë 3 gusht në Kosovë janë vaksinuar 13 217 infermierë dhe 6746 mjekë. Pra, gjithsej 19 963 personel shëndetësor’’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Demokracia.com.

Gjatë seancës të së premtes në Kuvendin e Kosovës, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka paralajmëruar një mundësi për të marrë masa kundrejt atyre që ende nuk po vaksinohen.

“Vaksinat janë të sigurta, termine ka mjaftueshëm dhe ju lutem qytetarë të vaksinoheni sepse nuk mund të lejojmë mos-përgjegjësi qytetare. Masat që do të ndërmarrim në vijim ku qytetarët e vaksinuar do të kenë insentive për shumë aktivitete, ndërkaq shpresojmë që ata që nuk janë vaksinuar ta bëjnë këtë”, ka thënë Vitia.

Ndërkohë, në një takim të premten, përfaqësuesi i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Driton Hoti dhe ministri Vitia kanë diskutuar për masat e reja anti-COVID ku kanë marrë vendim që vaksina anti-COVID të jetë obligative për qytetarët që do të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, në qendra tregtare, klube të natës dhe ahengje familjare.

“Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqërorë, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin e OHT-së.

Se kushtëzimi për vaksinim në të ardhmen mund të lejohet, e pohon edhe nga Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi (IKD).

Miftaraj për Demokracia.com thotë se masa për detyrim të qytetarëve për vaksinim duhet të rregullohet me ligj nga Kuvendi i Kosovës dhe është e drejtë nëse bëhet për ruajtjen e shëndetit publik.

‘’Çdo masë që ka për qëllim për të detyruar qytetarët për tu vaksinuar lidhur me COVID-19 duhet të rregullohet me ligj nga Kuvendi i Kosovës. Duke marr për bazë rrezikun që ka pandemia COVID 19 dhe pasojat që mund të ketë për shëndetin publik të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe çështjeve të tjera të lidhura, është legjitime dhe e drejtë që Kuvendi i Kosovës përmes plotësim ndryshimit të ligjit aktual të adresoj çështjet me interes’’, tha Mifaraj për Demokracia.com

Gjithashtu edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala për Demokracia.com tha se vaksinimi nuk duhet të shihet si një kushtëzim, por si një domosdoshmëri për të mirën e përgjithshme.

‘’Ata që nuk janë vaksinuar nuk mund të mbesin peng e idesë që mos të vaksinohen dhe në këtë mënyrë të rrezikojnë edhe të tjerët në vendet e tyre të punës. Vaksinimi është së pari interes personal e pastaj ruajtës i shëndeti publikë dhe nuk duhet të merret si kushtëzim por si domosdoshmëri për të mirën e përgjithshme’’, tha Shala.

Ai tutje shtoi se shteti ka të drejtë, e edhe obligim, që të jetë mbrojtës i shëndetit të njeriut.

‘’Po shohim se dita ditës po rriten raste te reja me COVID-19 dhe nëse nuk marrim masa do të përballemi me pasoja të shumta e njëra ndër to edhe ajo e mbylljes dhe kur po ndodh ajo po ka reagime nga publiku prandaj vaksinimi është metoda më e mirë për të parandaluar përhapjen. Nëse shteti nuk angazhohet për mbrojtjen e njeriut i shkel të gjitha të drejtat tjera, prandaj kjo nuk mund të merret si kushtëzim’’, tha Shala.

Kujtojmë se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 478 mijë e 84 doza të vaksinës dhe deri më sot 165 mijë e 190 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./Demokracia.com/

Të ngjashme