Lajme
A kanë kuptim kushtet e Kurtit për Asociacionin pas pranimit të planit franko – gjerman?
Demokracia
12:11 | 08 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti tha se Asociacioni, i cili po kërkohet me çdo kusht nga ndërkombëtarët, që po përpiqen të arrijnë marrëveshje Kosovë -Serbi, duhet të hyjë në fuqi pasi dy vendet ta njohin njëra – tjetrën. Por ai duket se e anuloi këtë “kriter” kur i tha po në parim planit franko-gjerman (evropian), disa ditë më vonë. Siç dihet, ky plan nuk e ka njohjen dhe pranimi i tij, i bie se pranohet themelimi i Asociacionit.

Mendohej se Kryeministri Albin Kurti e kishte pranuar që në fillim propozimin evropian, të njohur si plani franko-gjerman. Por, thirrjet për pranimin e tij, që bëheshin kryesisht nga zyrtarët amerikanë së fundmi, zbuluan se Kurti ka dilemat e veta rreth propozimit.

Sidoqoftë, Kurti e pranoi në parim planin franko-gjerman, pardje pas një dreke me emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lacjak.

Nuk është bërë asnjëherë zyrtarisht publike përmbajtja e këtij plani për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin Kurti e përshkruan si një dokument me 10 nene.

Por, është konfirmuar se një nga ato nene thotë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë mes vete. Kjo është edhe një prej kërkesave kryesore të thëna nga ndërmjetësit në dialog. Dhe, kur flasin për zbatimin e marrëveshjeve, kryesisht e kanë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti është deklaruar kategorikisht kundër formimit të Asociacionit, deri javën e kaluar kur prezantoi gjashtë kushte, plotësimi i të cilave do ta bindnin për pranimin e tij.

Nuk dihet nëse Kurti do të arrijë t’i plotësojë gjashtë kushtet e vëna, por, gjithmonë sipas propozimit evropian, i bie që pranohet formimi i Asociacionit pa e pritur ardhjen e njohjes së Kosovës nga Serbia.

Këtë e thotë edhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, zyrtar i rëndësishëm i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai komenton pikën ku flitet për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara, që tërthorazi i referohen Asociacionit.

“Në një farë mënyre, Kosova e merr përsipër një obligim për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog. Nga ky kuptim mund të thoni se është i nënkuptueshëm, pra është implicite referenca në Asociacion”, ka thënë Konjufca.

Deri tani, askush nga ata që u është prezantuar plani franko-gjerman, nuk ka thënë se aty përfshihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Kosovë, zyrtarë të lartë të shtetit si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e kryeparlamentari Konjufca kanë thënë se në fakt aty nuk ka njohje formale.

Konjufca që tani është i njohur për interpretimin mbi nënkuptimet e planit, ka thënë se ai për Kosovën është një “kompromis”, pasi nuk përfshin njohjen reciproke.

“Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje de fakto. Pra, shtetësia e Serbisë ndaj Kosovës nuk pranohet drejtpërdrejtë, por pranohet në mënyrë të tërthortë. Nuk i bie që pranohet përmes një akti shtetëror të Serbisë, por përmes një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Edhe pas prezantimit të planit franko-gjerman, së paku deri pas takimit me top diplomatët euro-amerikanë, Kurti ka thënë se Kosova kërkon marrëveshje me Serbinë, që ka “njohjen në qendër”.

“Padyshim që për neve çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk është marrëveshje e normalizimit të plotë dhe në anën tjetër, nuk pretendohet me propozimin e Bashkimit Evropian që të kemi një marrëveshje finale”, ka thënë Kryeministri. Këtu, Kurti vazhdon ta shpjegojë se pse plani franko-gjerman është vetëm një platformë përmes së cilës arrihet marrëveshja dhe nuk e sheh si akt final atë.

Pas takimit të 20 janarit me pesë top emisarët euro-amerikanë, është raportuar se Kurti ka vënë një kusht tjetër për pranimin e planit franko-gjerman. Kushti ishte që ata t’ia garantojnë njohjen nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që s’e kanë pranuar akoma pavarësinë e Kosovës.

Të ngjashme