Sot, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është shpallur “veteran i rrejshëm” nga Partia Socialdemokrate, nëpërmjet një aksioni simbolik të partisë para Qeverisë së Kosovës.
Po sot, Dardan Molliqaj, kreu i PSD-së tha se Kurti më 2 marsit 1999 ishte larguar nga Zyra e Adem Demaçit, që aso kohe ishte përfaqësues politik i UÇK-në. Pjesë e kësaj zyre ishte edhe Kurti.
Molliqaj: Kurti u largua nga UÇK-ja më 2 mars 1999, s’mund të jetë veteran, duhet të hetohet
Ndaj këtyre raportimeve, ka reaguar zëdhënësi i Vetëvendosjes Arlind Manxhuka, i cili ka publikuar katër video, përmes të cilave sugjeron se mund të dëshmohet vërtetësia e pjesëmarrjes së Kurtit në luftën e UÇK-së. Këtë postim të tij, e ka shpërndarë edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Në njërën prej videove, është deklarata e ish-deputetit të Vetëvendosjes dhe komandantit të UÇK-së, Rexhep Selimi. Ai, në njërën prej emisioneve televizive thoshte se kontributi i Kurtit për UÇK-në ka qenë i madh.
“Ai (Albin Kurti), ka pasur detyra të sakta në luftën e UÇK-së. Ka pasur gatishmëri, të cilën e dëshmon edhe komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sulejman Selimi”, thoshte Selimi në një paraqitje në televizionin Dukagjini.
Një deklaratë tjetër që është shkëputur, është ajo e Faton Klinakut, përfaqësuesit të OVL-së.
“Çështja e z. Kurti është çështje që e ka verifikuar apo nënshkruar, listës që i ka takuar, z. Adem Demaçi”, kishte thënë Klinaku në një paraqitje për televizionin Kanal10.
Deklarata tjetër që është publikuar nga zëdhënësi Manxhuka, është ajo e komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili, në emisionin Pressing të T7, kishte thënë që Kurtin e ka pasur bashkëluftëtar.
I gjithë ky debat u nxit, pas iniciativës së Kryeministrit Kurti për të verifikuar listat e veteranëve. Lidhur me këtë synim të tij, ai ka takuar së fundmi edhe përfaqësuesin e OVL-së, Faton Klinaku, për t’i bashkërenduar veprimet lidhur me këtë proces. Vetë Kurti, në një emision televiziv të ditëve të fundit, ka thënë se nuk beson që 60 mijë veteranët e luftës, janë të vërtetë. /Demokacia.com/