OpEd
A ka vdekur Ëndrra Amerikane?
Demokracia
21:00 | 08 Dhjetor 2023

Share:

Shkruan: Financial Times/

Ëndrra amerikane, një term i përdorur për herë të parë nga një historian i epokës së Depresionit të Madh, James Truslow Adams, ka të bëjë me lëvizshmërinë e individëve nga poshtë lart. Pra nëse punon shumë, çdo qytetar amerikan duhet të jetë në gjendje jo vetëm që të ketë sukses, por edhe të ngrihet mbi pozitën sociale dhe ekonomike të prindërve të tij.

Në librin e tij të vitit 1931 “Epika e Amerikës”, Adams e pranoi se kriza e vazhdueshme ekonomike, po kërcënonte një ëndërr, e cila për shumicën e njerëzve gjatë historisë së vendit, dukej e arritshme. Por nga ana tjetër ai e përfundoi atë libër me një notë optimizmi, duke cituar emigranten ruse Mary Antin, e cila vlerësoi sistemin e bibliotekave publike në SHBA, që e ngriti atë nga një fëmijë që nuk dinte anglisht, në një shkrimtare që botoi librin e saj të parë kur ishte ende adoleshente.

Siç u shpreh vetë Antin “e ardhmja e ndritur është e imja”. Por tani gjërat në Amerikë kanë ndryshuar, siç e përshkruan në detaje gazetari i New York Times, David Leonhardt në librin e tij më të ri. Gjatë 50 viteve të fundit, të ardhurat në SHBA kanë ngecur në vend, ndërsa është rritur pabarazia e pasurisë.

Një familje e zakonshme në vitin 2019, kishte një pasuri neto pak më të ulët sesa familja e zakonshme amerikane në vitin 2001.

“Nuk ka pasur një periudhë kaq të gjatë stanjacioni të pasurisë që nga koha e Depresionit të Madh”- shkruan Leonhart.

Për më tepër në rënie është edhe jetëgjatësia e njerëzve, një anomali e rrallë dhe shqetësuese për një komb të pasur, ashtu si edhe lëvizshmëria sociale. Autori e quan këtë Stanjacioni i Madh Amerikan, dhe për shumë njerëz kjo e ka kthyer Ëndrrën Amerikane në një mit, që është e pamundur të imagjinohet se mund të realizohet ndonjëherë.

Akademiku i Harvardit, Raj Chetty, të cilin Leonhardt e ndihmoi të bëhej i njohur, zbuloi se ndërsa 92 për qind e fëmijëve të lindur në vitin 1940, kishin të ardhura më të larta familjare se prindërit e tyre, foshnjat e lindura në vitin 1980, kishin vetëm një shans 50 me 50 për të bërë më mirë se gjenerata e mëparshme.

Kjo rënie ka ardhur me një kosto të madhe ekonomike, politike dhe sociale, jo vetëm për SHBA-në, por për mbarë botën. Pra ka më pak gatishmëri për t’u përfshirë në adresimin e krizave globale si ndryshimi klimatik, deri tek “një lëvizje alarmante anti-demokratike” në SHBA, së bashku me një rritje të racizmit dhe ksenofobisë.

“E ardhmja jonë ishte e ndritur”, libri i parë i Leonhardt, ishte një përpjekje për të shpjeguar atë që ndodhi. Mendimi i tij, që unë besoj se është i saktë, është se që nga vitet 1970 kapitalizmi demokratik (i përkufizuar si ‘një sistem në të cilin qeveria njeh rolin e saj vendimtar në drejtimin e ekonomisë) i ka lënë vendin një laissez-faire, një politike ekonomike ultra-liberale për të gjithë, në të cilat sundojnë korporatat dhe planet afatshkurtëra.

“Në këtë botë”, shkruan ai, “s’ka më një lëvizje masive të fokusuar në përmirësimin e rezultateve ekonomike për shumicën e amerikanëve. Grupet më të mëdha të aktivistëve të vendit, si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, janë të fokusuar tek çështje të tjera”.

Po si arritëm në këtë pikë? Në analizën e Leonhardt, ndryshimet në 3 fusha– pushteti politik, kultura dhe investimet – nënkuptojnë se amerikanët e zakonshëm që punojnë kanë mbetur prapa. Që nga fundi i viteve 1960, “puna e vjetër” e “New Deal” është rrëmbyer nga një “E Majta Brahmine”, e përbërë gjithnjë e më shumë nga elita të arsimuara në universitete, që më shumë i shpërfillin punëtorët e pakualifikuar sesa komunikojnë me ta.

Në një vend që në thelb anon më shumë  nga konservatorizmi social, edhe Partia Demokratike është bërë shumë radikale në çështje sociale si aborti, migrimi dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ. Për këtë arsye, demokratët kanë humbur votat elektorale të nevojshme për të çuar përpara politikat ekonomike aq shumë të nevojshme, si investimet publike afatgjata, si dhe taksimin më progresiv, plus reformën në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe arsimor, që do të zbusnin pabarazinë në rritje.

Shtojini kësaj edhe kulturën “lakmia është e mirë”, që himnizon interesit vetjak dhe forcat e tregut global që nxisin vetëm atë që është e mirë për 3-mujorin e ardhshëm, dhe ja ku kemi një vend në rënie. Në vend se të përqendrohet mbi një narrativë, ai përpiqet t’i izolojë ngjarjet kryesore që nxitën ngritjen dhe rënien e ëndrrës amerikane mbi 100 vjet në 10 kapituj, shumë prej të cilëve mund të kenë qenë vetë tema librash të pavarur.

Ai mbulon gjithçka, nga ngritja dhe rënia e lëvizjes punëtore industriale, tek historia e progresivizmit, tek kryqëzimi midis nivelit të kriminalitetit dhe trazirave politike, dhe sigurisht revolucionin Reagan/Thatcher dhe gjithçka që shkaktoi ai.

Pjesa më e madhe e rrëfimit të Leonhardt mbi këtë të fundit dhe ngritjen e bizneseve të mëdha është e parashikueshme. Unë u befasova dhe u gëzova kur mësova se senatori i atëhershëm Joe Biden ishte një nga ata që në vitet 1980, vuri në pikëpyetje ngjitjen në karrierë të gjyqtarit federal Robert Bork, kthimi i të cilit nga politikat tradicionale të monopolit amerikan çoi në një përqendrim të madh të pushtetit të korporatave, që po adresohet vetëm tani nga përpjekjet anti-trust të presidentit Biden.

Ajo që është magjepsëse – dhe shumë më pak e njohur – është mënyra në të cilën Laburistët e Vjetër e përshpejtuan rënien e tyre. Në fillim Teamsters Union, mbështeti udhëheqësin e punëtorëve të fermave Cesar Chavez dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar një lëvizje punëtore më gjithëpërfshirëse në vitet 1960, përpara se të vendosnin të merrnin pushtetin për veten e tyre në një mënyrë që vetëm sa e përshpejtoi rënien e lëvizjes punëtore industriale në tërësi.

Joe Biden, që mban një bust të Cezar Chavez-it në zyrën e tij, dhe që nuk ka frikë nga politika industriale apo rishpërndarja e pasurisë, është përpjekur të rindërtojë fuqinë e njerëzve që punojnë. Por ndërsa ekonomia amerikane po ecën tani më mirë se sa në një çerek shekulli sipas shumë treguesve, sondazhet nuk po e pasqyrojnë ende këtë realitet.

Libri “E ardhmja jonë ishte e ndritur” përfundon përpara se të nisë Bidenomics, megjithëse një kapitull përmbyllës mbështet shumë nga idetë që Shtëpia e Bardhë i ka mbrojtur që nga ajo kohë. Por SHBA-ja është ende një demokraci, dhe vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje presidenciale. Nëse e ardhmja e Amerikës do të shkëlqejë sërish, gjithçka mund të varet nga rezultati i këtij procesi.

Përshtat: Gazeta Si

Të ngjashme