Më 31 tetor të këtij viti, Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi për kryeministër Millojko Spajiq. Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve, 19 votuan kundër dhe 1 abstenoi.
Në këtë qeveri zëvendëskryeministër u zgjodh edhe ish kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj.
“Sa kam qenë unë kryetar më janë ndërruar tri qeveri, por më e mira ka qenë ajo e Abazoviqit, kanë qenë investimet më të mëdha sidomos në infrastrukturë”, tha Gjeloshaj.
Ai ka folur për qeverinë e Abazoviqit ku tha se si parti kanë qenë pjesë e saj por, sipas tij në qeverinë e kaluar është bërë pak e është fol shumë.
“Mendoj që është tepru sepse janë marrë meritat nga politika aty ku nuk i takon. Mendoj që kontrabandën nuk e ndalë qeveria edhe pse ka pasur gjëra të tilla. Mendoj që ato i bëjnë institucionet e tjera, kemi policinë, prokurorinë”, tha Gjeloshaj.
Ai tutje duke iu referuar deklaratave të ish-kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që tha se ka shkatërruar mafian në këtë shtet, tha se do të dëshironte të besonte këtë.
“Kisha dashtë të ishte ashtu sinqerisht, si prind njëherë e pastaj si politikan por mendoj që këtë nuk kanë mundur ta bëjnë shtete shumë më të zhvilluara e le më Mali i Zi, që është në një tranzicion apo duke e gjet rrugën me shku në tranzicion”, tha tutje Gjeloshaj.
Ai shtoi se në gjyqësor nuk ka askush besim në Mal të Zi.
“Kërkush nuk ka besim që gjykohet në bazë të fakteve dhe në bazë të ligjit sepse këtë sistem e kanë krijuar në kohëra që nuk ka pasur lidhje profesionalizmi. Dhe i kanë krijuar strukturat ku, drejtuesit e tyre për momentin nuk janë në liri. Gjyqësori mendoj që është i kapun”, shtoi zv/kryeministri i Malit të Zi.
Gjeloshaj ka folur edhe për doganën dhe policinë ku tha se nëse nuk luftohet korrupsioni në këto dy sisteme, nuk do të ketë zhvillim ekonomik.
“Mendoj që po duhet ta bëjmë këtë së bashku edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve”, tha Gjeloshaj.
Gjeloshaj votoi pro zgjedhjes për kryetar kuvendi Mandiqin i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës
Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, ka deklaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Gjeloshaj ka votuar që Mandiq të bëhet i pari i legjislativit.
Ai ka thënë se i mjafton që Mali i Zi e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
“Unë jam këtu për t’i respektuar marrëveshjet dhe mua më mjafton ajo që Mali i Zi do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha shtetet që i ka njohur. Ne jemi marr vesh me Mandiqin që nëse ai voton qeverinë tonë, ne do të votojmë që ai të bëhet kryetar”, ka shpjeguar Gjeloshaj.
Ai ka shtuar se nëse Kosovës do t’i duhet vota e Malit të Zi, do ta ketë atë.
“Mali i Zi do ta përkrah Kosovën në secilën organizatë ndërkombëtare, unë kam biseduar edhe me kryeministrin dhe më ka konfirmuar dhe ka thënë që as që më shkon ndër mend me mendu ndonjë gjë tjëtër, por nëse do të ndodh ndonjë gjë e tillë unë më nuk do të jem zëvendëskryeministër dhe gjithë shqiptarët nuk do të jenë pjesë e qeverisë”, tha Gjeloshaj.
I pyetur se nëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do ta vizitonte Mandiqin, a do të pranonte ky i fundit që ta takonte.
“Unë mendoj që po, do ta takonte, nëse Konjufca vjen në Mal të Zi mendoj që duhet të takohet me kryetarin e kuvendit të Malit të Zi”, tha Gjeloshaj.
“11 deputetë e kanë qëndrimin e tyre sikur çdo serb që Kosova është pjesë e rezolutës 1244, por mendoj që edhe ata vet e dinë që ku është duke shkuar kjo çështje”, tha ndër tjerash Gjeloshaj.