Lajme
A ka ngacmime seksuale dhe trajtime të pabarabarta të ushtareve? Flasin nga FSK-ja
Demokracia
09:21 | 29 Janar 2022

Share:

Mbi 300 femra janë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prej tre mijë ushtarëve sa numëron FSK-ja, 11 përqind e tyre janë gra me grada kolonele, nënkolonele, majore dhe ushtare. 

Rregullorja për Vlerësimet Vjetore të Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës përcakton kriteret dhe procedurat për vlerësimin e punës dhe sjelljen brenda ushtrisë sonë në baza vjetore. Kjo rregullore zbatohet për të gjithë pjesëtarët aktivë dhe rezervë të FSK-së, duke përfshirë edhe gradën e gjeneralit, kështu bënë të ditur Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore (NJDNJ) në FSK.

Demokracia.com ka mësuar se disa nga femrat ushtare nuk kanë pasur trajtim të barabartë të vlerësimit periodik edhe në rastet kur ato janë kthyer pas pushimit të lehonisë, duke u vlerësuar me notën 2,2.

Për këtë është pyetur edhe FSK-ja nëse është e vërtetë që një femër ushtare është vlerësuar me notën 2.2 vetëm pse është kthyer nga pushimi i lehonisë. Por, nga FSK-ja kanë thënë se vlerësimet bëhen bazuar në Rregulloren NR.21/2019, për Vlerësimet Vjetore në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pjesëtarët e FSK vlerësohen duke u bazuar në kriteret e përgjithshme dhe vlerësimet e përmbledhura. Kriteret e përgjithshme vlerësohen me nota, duke filluar nga 1, nota më e ulët deri në notën 5, që është vlerësimi maksimal. Vlerësimet vjetore për pjesëtarë të FSK-së bëhen vetëm për periudhën që kanë qenë në detyrë. Pjesëtarët që kthehen nga pushimi i lehonisë brenda periudhës vlerësuese, vlerësohen për periudhën që kanë qenë në detyrë (vlerësim i pjesshëm)”, thuhet në përgjigjen e FSK-së.

Në mesin e ushtareve, Demokracia.com ka mësuar se ndodh ndonjëherë të ketë edhe ngacmime seksuale, mirëpo FSK-ja ka mohuar, duke thënë se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë të tillë në vitin e kaluar.

Gjatë vitit 2021, NJDNJ nuk ka pranuar ndonjë ankesë me shkrim lidhur me ngacmimin seksual. Në takimet e rregullta me gratë dhe vajzat e FSK, NJDNJ i ka inkurajuar që shqetësimet eventuale lidhur me ngacmimin të adresohen, sepse ngacmimi (seksual) në vendin e punës është formë e qartë e diskriminimit gjinor. Kuadri ligjor i FSK-së i garanton secilit pjesëtar liri të raportimit për secilin rast që është në kundërshtim me ligjet, rregullat dhe vlerat e FSK-së, andaj me raportimin e rastit, ngritën proceduara disiplinore dhe sipas kodit disiplinor merren masat disiplinore”, thuhet në përgjigjen e FSK-së për Demokracia.com.

Ndër të tjera, NJDNJ shton se në brifingun e sigurisë, por edhe në takimet e drejtpërdrejta me pjesëtarët e FSK-së, të organizuara nga kjo njësi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nga zyrtarja për Barazi Gjinore në FSK, ofrojnë udhëzime dhe inkurajojnë pjesëtaret për raportim të ndonjë rasti të ngacmimit, diskriminimit apo raste të natyrave tjera.

Ndërsa, të pyetur nëse gjatë vitit të kaluar ka pasur raste të diskriminimit ndaj femrave ushtare brenda gjinisë, avancimit, përkrahjes, FSK-ja sërish pohon se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me këtë çështje.

Në Njësinë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk është evidencuar ndonjë ankesë me shkrim për diskriminim gjatë vitit 2021. Lidhur me këtë, NJDNJ ka raportuar në Zyrën për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, se në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kemi pranuar asnjë rekomandim nga Institucioni i Avokatit të Popullit në lidhje me çështjet e diskriminimit dhe barazisë. Legjislacioni primar dhe sekondar i MM/FSK, garanton mundësi të barabarta për të gjithë pa dallim gjinie dhe etnie. Legjislacioni garanton të drejtën e ankesës në rast se pretendohet se ju ka bërë diskriminim në një proces të caktuar”, thuhet në përgjigjen e zyrës së informimit të FSK-së.

Sipas këtij institucioni, të gjitha emërimet dhe gradimet bëhen në bazë të kritereve të përcaktuara në rregulloren për zhvillim të karrierës të pjesëtarëve të FSK-së. Pas secilit proces të emërim/gradimit, FSK-ja thotë se është periudha e ankesave të cilat trajtohen nga Bordi për shqyrtim dhe zgjidhje të ankesave në FSK. /Demokracia.com/

 

 

 

 

Të ngjashme