Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë, njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se nuk ekzistojnë më kushtet ligjore për mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre.
Me përfundimin e dëgjimit të mbi 120 dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorisë Speciale në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shuar edhe çdo arsye ligjore që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të mbahen në paraburgim, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike.
Duke potencuar se paraburgimi është masa më e ashpër për sigurimin e të pandehurit në procedurë, avokati, Ardian Bajraktari, potencon se nga fillimi i muajit prill kur kanë përfunduar deklarimet e dëshmitarëve të prokurorisë, paraburgimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së “është jo proporcional” dhe në “shpërputhje me kushtet e parapara në nenin 41, paragrafi 6 të Ligjit për Dhomat e Specializuara si dhe praktiken e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
“Këto kushte nuk qëndrojnë për faktin se çlirimtarët tanë, janë paraqitur vullnetarisht para autoriteteve me çka kanë shprehë se janë të gatshëm për t’u paraqitur para autoriteteve që e zhvillojnë procedurën, për më tepër tashmë ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarëve dhe mundësia e ndikimit në ta përkatësisht në prova është zero, si dhe po ashtu as përsëritja e veprës/veprave penale, andaj në këto rrethana paraburgimi është absolutisht jo proporcionale dhe i panevojshëm”, thotë ai për Albanian Post.
Në këtë kontekst, sipas Bajraktarit, mund të aplikohen masa të tjera si arresti shtëpiak.
Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe avokati i licencuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Mentor Beqiri.
“Për qëndrimet tona si Mbrojtje, mund të referoheni në parashtresat që i kemi dorëzuar pranë Gjykatës Speciale, ku kemi cekur se nuk ekziston asnjë kusht ligjor për mbajtjen në paraburgim të klientëve tanë”, tha ai.
Në anën tjetër për avokatin, Artan Çerkini, i cili po ashtu është i licencuar nga Gjykata Speciale, argumenti kryesor i Prokurorisë për mbajtjen në paraburgim ka qenë rreziku i ndikimit në dëshmitarë, i cili nuk ekziston më, andaj sipas tij janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga paraburgimi.
“I vetmi argument i Prokurorisë ka qenë që të pandehurit të mbahen në paraburgim për shkak të rrezikut të ndikimit në dëshmitarë. Tashmë ky rrezik nuk ekziston, sepse Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj dhe dëshmitarët e saj janë dëgjuar. Për rrjedhojë, nuk ka më mundësi që të ndikohet në dëshmitarët e Prokurorisë”, ka thënë ai.
Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për të ashtuquajtura krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.
Ndryshe trupi mbrojtës i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 2 qershor pritet ta dorëzojnë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mocionin për rrëzimin e pikave të aktakuzës.
Pas dorëzimit, Zyra e Prokurorisë Speciale ka një muaj kohë që t’i përgjigjet këtij mocioni.