Dy diplomatët evropianë të emëruar nga krerët e Gjermanisë dhe Francës duket se i kanë thënë në sy presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun Kosovë-Serbi, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune gjatë kësaj jave vizituan këto dy shtete në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, shkruan Demokracia.com.
Ata u shoqëruan edhe nga i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak.
Një ditë pas takimit në Beograd, Vuçiq dha detaje se çfarë i kërkuan diplomatët evropianë.
“Marrëveshja do të nënkuptonte, nuk mund të them njohje të Kosovës, por njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet’, ka thënë Vuçiq.
Kjo fjali e thënë nga Vuçiq lë të nënkuptohet se diplomatët evropianë ia kërkuan atij njohjen e Kosovës, meqë Gjermania dhe Franca janë ndër 117 shtetet që e njohin pavarësinë e Kosovës.
Në Prishtinë emisarët evropianë u treguan fjalëpak por, e cilësuan takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti si bisedë të rëndësishme.
Vuçiq tha se kërkon një zgjidhjeje kompromisi me Kosovën por nuk saktësoi se për çfarë bëhet fjalë.
Kosova në këtë dialog kërkon një marrëveshje që në qendër do të kishte njohjen e ndërsjellë, që Serbia vazhdimisht e kundërshton.
Njohjen e Kosovës nga Serbia e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq BE-ja vazhdon të mbajë qëndrim neutral ndaj kësaj çështjeje.
Diplomatë të rëndësishëm amerikanë dhe evropianë kanë vizituar së fundmi Kosovën dhe Serbinë, përfshirë edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në përpjekje për të ulur tensionet e krijuara nga vendosja e reciprocietit nga ana e Kosovës dhe për të shtyrë palët drejt një marrëveshjeje finale. /Demokracia.com/