Lajme
A i “ndanë rrugët” Presidenca, Qeveria e Kuvendi?
Demokracia
22:02 | 30 Maj 2024

Share:

Rrugëtimit të përbashkët politik të presidentes Vjosa Osmani, kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministres Donika Gërvalla duket se po i vjen fundi, sipas njohësve të çështjeve politike në vend, Artan Muhaxhiri dhe Mexhide Demolli.

Afërsia e presidentes Osmani me ndërkombëtarët, si dhe kalkulimet politike parazgjedhore të kryeministrit Kurti, po vlerësohen si disa nga arsyet që e kanë shkaktuar këtë ndarje, e cila filloi të bëhej publike javëve të fundit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se nuk u konsultua për letrën që ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ia kishte dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, më 16 maj.

Në këtë letër, Gërvalla, e cila njëherësh është edhe kryetare e partisë Guxo, parti të cilën e kishte themeluar Osmani para se të bëhej presidente, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin, të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese kishte qenë kusht i disa vendeve anëtare, duke përfshirë edhe Francën dhe Gjermaninë, për ta përfshirë antarësimin e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj.

Por, pavarësisht gjithë kësaj, Kosova dështoi të përfshihej në agjendën për anëtarësim në Këshill të Evropës, dhe letra u konsiderua si e vonshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 29 maj, tha se mosinformimi i presidentes ishte i paqëllimshëm pasi ajo ishte në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për shkak të largësisë, jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës, mund të ndahet dhe koordinohet”, ka thënë Konjufca në një deklarim për gazetarë.

Këtë deklarim të kryeparlamentarit Konjufca, presidentja Vjosa Osmani e quajti ‘qesharak’, pasi që, sipas saj, largësia nuk ka qenë problem.

“Të thuhet që kjo në çfarëdo mënyre paska pasur të bëjë me largësinë, për mua është diçka që nuk dua ta besoj që dikush e thotë, sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyre, po tentohet që për këtë moskoordinim për një çështje kaq kapitale, faji të lihet te Presidenca”, ka thënë Osmani në një deklaratë për portalin Ekonomia Online.

“Tragjikomedia me letrën në Këshillën e Evropës, e ndezi fitilin për eksplodimin final”

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se thyerja në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani ka ndodhur për shkak të mospajtimeve se kush duhet ta përgatisë draftin për Asociacionin.

Kurti kishte deklaruar se draftin duhej ta shkruajë ai së bashku me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe atë të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi, por ashtu nuk mendoi presidentja Osmani.

“Çarja e parë e rëndësishme nisi në shtatorin e 2023-ës, kur presidentja Osmani e dha idenë që drafti i Asociacionit të krijohej bashkë nga institucionet kosovare dhe SHBA-ja. Pastaj vazhdoi me identifikimin publik të presidentes nga përfaqësuesit amerikanë si aleatja e tyre kryesore në Kosovë dhe balancuesja e qëndrimeve radikale të kryeministrit”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, “tragjikomedia me letrën në Këshillën e Evropës e ndezi fitilin për eksplodimin final”.

“Sabotimi që iu bë duke e injoruar në një momentum kritik, ishte mesazh i qartë për të”, vlerëson ai.

Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli, përmend moskoordinimin me faktorin ndërkombëtar për aksionet në veri, si një ndër shkaktarët e prishjes së raporteve.

“Rrugët mes presidentes dhe kryeministrit në këtë rast kanë filluar nga koha kur kryeministri, pa ndonjë koordinim me aktorët ndërkombëtarë që janë prezent në vendin tonë, filloi aksione të ndryshme për shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit”, thotë ajo.

Ashtu si Muhaxhiri, edhe ajo pohon se afërsia e presidentes me ndërkombëtarët ka ndikuar edhe më shumë.

“Ne shihnim se në shumë raste takimet e ndryshme, qoftë të ambasadorëve apo edhe delegacioneve të ndryshme, mbaheshin vetëm me presidenten duke u injoruar kështu kryeministri”, thekson ajo.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar kabinetet e Osmanit, Kurtit dhe Gërvallës për të marrë përgjigje nëse kanë ndryshuar raportet mes tyre, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa nga kabineti i i kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli ka mohuar të ketë ndonjë mospajtim mes presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit Konjufca.

“Raportet me presidenten janë shumë të mira. Kryetari ka takime të rregullta javore me presidenten (përjashto ato ditë kur presidentja ose kryetari janë jashtë vendit në vizita zyrtare)”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Presidentja Osmani jashtë kalkulimeve zgjedhore të Kurtit

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë pritet të mbahen vitin e ardhshëm kur edhe i përfundon mandati Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Ditëve të fundit në Kosovë është diskutuar për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por partitë politike nuk arritën dakordim për mënyrën se si duhet shkuar në zgjedhje.

Sipas Drejtoreshës së Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli, kalkulimet politike të kësaj fushate zgjedhore, kanë prekur edhe raportet ndërmjet krerëve institucionalë.

“Tashmë kanë filluar kalkulimet politike edhe për pozitat e ardhshme. Të mos harrojmë se mandati i presidentes është 5-vjeçar, pra një vit më shumë sesa i Qeverisë, dhe si duket kryeministri aktual tashmë ka filluar të bëjë përllogaritjet e tij dhe presidentja aktuale nuk i hyn në këto kalkulime, duke qenë se kjo e fundit edhe i ka dalë kundër në disa prej veprimeve të tij”, thotë Demolli.

Ashtu si Demolli, edhe analisti politik Artan Muhaxhiri, thotë se presidentja Osmani nuk është më pjesë e kalkulimeve politike të Kurtit.

“Shpërthimi u përshpejtua nga takimi Kurti – Krasniqi, ku u bisedua për mundësinë e zgjedhjeve të reja. Gjithsesi që në takime të tilla edhe posti presidencial është segment themelor i negociatave dhe kornizave të marrëveshjeve eventuale. Pasi presidentja Osmani ‘nuk gjendej në tavolinë, ajo ishte pjesë e menysë’ “, thotë ai.

Për pretendimet e ngritura nga Demolli dhe Muhaxhiri, Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë një koment nga kabineti i presidentes Osmani, ai i kryeparlamentarit Konjufca, kryeministrit Kurti dhe i ministres Gërvalla, por deri në publikimin e këtij teksti ata nuk janë përgjigjur.

Lista Guxo, e cila ishte themeluar nga presidentja Osmani së bashku me ministren Gërvalla, kishte garuar në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

Guxo, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, kishin marrë mbi 50 për qind të votave.

Rezultatet i siguruan Vetëvendosjes 58 deputetë, Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK)19 deputetë, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) 15 deputetë, Listës Serbe 10 deputetë dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8 deputetë.

Qeveria Kurti 2 u votua më 22 mars të vitit 2021.

Ndërsa, Vjosa Osmani u zgjodh presidente pak ditë më vonë, më 4 prill 2021.

Të ngjashme