Intervista
A i humb Kosova deri në 500 milionë euro pas masave të BE-së? Kurti përsërtit se vendi po “vuan”
Demokracia
12:37 | 06 Shtator 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe një herë ka përsëritur se vendi po vuan nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian pas situatës në veri.

Në një intervistë së fundi, ai është pyetur nëse vendi mund t’i humbasë deri në 500 milionë euro nga fondet evropiane, megjithatë, shefi i Qeverisë nuk u përgjigjë direkt, por deklaroi që grantet dhe huatë janë në rrezik.

Në një intervistë të publikuar sot, por të realizuar gjatë javës së kaluar për “Tv Slovenia”, derisa po qëndronte në Forumin e Bledit, njëra prej pyetjeve që iu bë kryeministrit Kurti ishte kjo:

“Kritikët ju akuzojnë se Kosova do të humbasë deri në 500 milionë euro nga fondet evropiane IPA për shkak të politikës suaj të ashpër ndaj veriut të Kosovës. Çfarë thoni për këtë?”

Sipas Kurtit, Qeveria nuk është përgjegjëse për këto masa, të cilat, e përmendi se janë ende në fuqi.

“Përkundrazi, ne po luftojmë atje kundër ekstremistëve të dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët. Është e vërtetë që ne po vuajmë për shkak të këtyre sanksioneve. Kryesisht komuniteti ynë i biznesit, por edhe shërbimet shtetërore. Për shembull, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ngrirë, megjithëse ne e kemi përmbushur atë në 69 për qind. Huatë dhe grantet si dhe financimet nga fondet e Bashkimit Evropian janë gjithashtu në rrezik. E gjithë kjo u ndërpre.” – tha ai fillimisht.

Kryeministri nuk dha ndonjë përgjigje për 500 milionë eurot e përmendura, por edhe një herë bëri thirrje që heqja e këtyre masave, do të ishte vendim i drejtë dhe i mirëseardhur.

Zgjedhjet lokale dhe darka e përbashkët me Bërnabiqin

Shefi i ekzekutivit është pyetur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri, ai tha se po punon shumë për realizimin e tyre.

“Unë jam duke punuar shumë dhe duke përgatitur gjithçka që të jetë kjo vjeshtë.” – u përgjigj ai.

Gazetarja e pyeti edhe për një darkë të përbashkët me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq:

“Ju morët pjesë në një darkë të përbashkët me kryeministren serbe Ana Brnabić në Bled. A folët ju të dy?”

“Folëm të gjithë, por nuk pati mundësi të bisedonim privatisht, pasi ishte një darkë e përbashkët. Falë kryeministrit Robert Golob, i cili na priti në këtë pasuri të bukur në Bled, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, biseduam për të ardhmen e rajonit, si të normalizohen marrëdhëniet. Unë vetë theksova se ne mund të normalizojmë marrëdhëniet vetëm me njohjen de jure dhe de facto të njëri-tjetrit…” – deklaroi ai.

Të njëjat fjalë ia tha Bloomberg-ut

Në të njëjtin organizim, Kurti kishte dhënë një intervistë edhe për mediumin e njohur, “Bloomberg”, ku po ashtu, ishte shprehur se masat po e dëmtojnë Kosovën.

“Masat po na dëmtojnë në aspektin financiar, në përkrahjen nga fondet, grantet dhe kreditë që marrim ne nga BE-ja.” – ka deklaruar ai.

Tutje, ai tha si vijon: “Ato janë duke dëmtuar agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”.

Kurti mes tjerash ka shtuar se BE-ja dhe ShBA-ja, të dyja, të duan ta ndihmojnë dhe ta përkrahin Kosovën, por se gjithashtu “duan ta largojnë Serbinë nga influenca ruse”.

Të ngjashme