Lajme
A e ‘shtensionoi’ Hovenier-i Sveçlën qe një muaj që s’po duket gjëkundi?
Demokracia
18:06 | 10 Mars 2024

Share:

Ka më shumë se një muaj që kur ‘vrulli’ i Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është ndalur si me dorë kur emri i tij i përvetshëm u shënua në komunikatën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, si “ngritës i panevojshëm i tensioneve etnike”.

Kjo në dritën e një aktivizimi të pareshtur të Sveçlës edhe në dukje me veshje taktike, duke marrë pjesë në aksione policore në veri; duke rrëzuar billborde bashkë me punëtorë kompanish të kontraktuara; duke mbyllur disa zyre të strukturave paralele serbe; e krejt këto duke i proklamuar nën moton e reduktuar të sundimit të ligjit “në çdo cep të Republikës”.

Madje, për t’i dhënë kreshendo këtij ‘vrulli’ të madh – i thurrur krykëput për marrëdhënie me publike, i.e një përdredhje për kinse çjerrje të prekjes institucionale serbe në Kosovë – Sveçla me pompozitet do t’i binte toneve se “institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.

Pavarësisht asaj se do të përgenjështrohet brenda ditësh nga Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “më ka dhënë fjalën” se institucionet arsimore dhe shëndetësore të Serbisë “nuk do të preken”; do të thotë, institucione të Serbisë.

Anash përgnjeshtrimit të Svçelës, më me peshë do të ishte përmendja e tij nga Hovenier në një komunikatë për media të lëshuar thuajse në pikë të natës në vazhdën e krekosjes ditë e më të madhe të Sveçlës.

Aty – përveç që referencë ishin aksionet policore të drejtuara nga Ministria e Brendshme (i.e Xhelal Sveçla) dhe konfiskim të një automjeti që bartte pagesa në dinarë për përfitues të ndihmave sociale në Gorazhdec të Pejës – Hovenier u detyrua të rikujtojë që Kosova, në themelet e saj, është (lexo: duhet) të jetë demokraci multietnike; dhe se “promovimi i këtij vizioni është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës”.

Sveçla, që atë ditë, në profilin e tij, ka veçse postime ceremoniale dhe të një karakteri krejt tjetër; i ndalur si me dorë. Në fjalë tjera, një Xhelal Sveçël para 2 shkurtit, dhe një Xhelal Sveçël “të relaksuar” pas 3 shkurtit.

Visar Ymeri, ish-bashkëpartiaku i tij, ishte i pari që veprimet e Sveçlës dhe denoncimin e ashpër nga ambasadori amerikan e kishte lexuar në një dritë hiç premtuese, për çka në një prononcim për Nacionalen kishte vlerësuar “Sveçla këtë nuk do ta kalojë lehtë”.

Në deklaratë, për herë të parë, vihet në spikamë drejtpërdrejt roli i Ministrit të Brendshëm në këto veprime që kanë ngritur shqetësimin e ShBA-ve. Nuk është as diplomatike e as e shpeshtë ky veçim i njërit prej ministrave dhe ky personalizim i vendimeve e veprimeve qeveritare, dhe kam dronë nuk është një gjë të cilën ministri Sveçla do ta kalojë lehtë”, ma pati thënë Ymeri.

Paraqitjet e çuditshme të Sveçlës nëpër aksione policore ishin komentuar me të madhe në vend, për çka vlerësohej se “po sillet sikur të ishte komandant”.

Qysh është e mundshme ministri me shku në bastisjes, qofshin struktura paralele, qofshin ISIS, qoftë Al-Qaeda, qoftë Radoiçiq. Këto janë veprime policore”, shprehej Burim Ramadani, ish-kryeinspektor në AKi.

Shkojnë në objektin e strukturës paralele në Dragash dy ministra në bastisje dhe çka gjejnë aty? Fotografinë e këshilltarit të kryeministrit. A po kuptoni. Ai emërimin e këshilltarit të kryeministrit ka kaluar ndonjë filtër. Nuk është i regjimit të kaluar ai këshilltari atë e ka emëruar kryeministri”, ka thënë Ramadani.

Edhe profesori universitar dhe filozofi, Blerim Latifi, shprehej i habitur me paraqitjet kontroverze të ministrit Sveçla. “Ministri me marr pjesë në operacione policore është gabim. Në shtetet demokratike nuk ndodhin ato sene”, shprehej ai,.

Ministri i Punëve të Brendshme në shtetet demokratike nuk guxon me dalë pothuajse se i uniformuar. Sveçla është duke e dhënë përshtypjen se ai është një lloj komandanti”, është shprehur edhe Latifi.

Të ngjashme