Lajme
A e prish vaksina anti-COVID agjërimin, flasin nga BIK
Demokracia
19:40 | 07 Prill 2021

Share:

Muaji i Shenjtë i Ramazanit këtë vit fillon më 13 prill, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë, duke lënë anash ushqimin dhe pijen nga orët e hershme të mëngjesit (syfyri), deri në kohën e mbrëmjes (iftarit). BIK, për Demokracia.com kanë thënë se një vaksinë e tillë jo ushqyese, nuk e prish agjërimin.

Përveç ushqimit dhe pijes, agjërimin e prishin edhe ineksionet dhe vitaminat e ndryshme ushqyese, që merren përmes shiringave apo infuzioneve.

Momentalisht, në Kosovë po vaksinohen punëtorët shëndetësorë dhe nga neser, 8 prill, Ministria e Shëndetësisë kanë njoftuar se do të nis vaksinimi i personave mbi moshën 85 vjeçare.

Sa i përket vaksinës anti-Covid, nga Bashkësia Islame e Kosovës në një përgjigje për Demokracia.com kanë thënë se vaksina e tillë jo ushqyese nuk e prish agjërimin.

“Ne shpresojmë shumë që sa më shpejtë të arrijnë vaksinat në vendin tonë dhe të fillojë vaksinimi, duke vazhduar edhe me punonjësit e arsimit dhe pastaj personat e shtyrë në moshë dhe me gjithë popullatën, mirëpo vaksinat që nuk janë ushqyese ato nuk e prishin agjërimin, pra edhe vaksina anti-Covid nuk e prish agjërimin”, tha Vedat Sahiti, kryeimam në BIK.

Kujtojmë se vaksinat e para në Kosovë kanë mbërritur më 28 mars 2021 dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 3 mijë mjekë e infermierë kundër COVID-19.

Ndërsa, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me COVID, nga sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, që përfshinë mbylljen e gastronomisë ku lejohen vetëm shërbime “merr me vete”, ndërsa mbyllja e qendrave tregtare.

Po ashtu është kufizuar lëvizja e qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Këto masa do jenë në fuqi deri më 18 prill.

Në Kosovë, më 28 mars, ka mbërritur kontingjenti i parë, me 24 mijë doza, i vaksinave kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca.

Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova mori falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Vaksina e kompanisë britanike AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, thuhet se është 76 për qind efektive kundër sëmundjes COVID-19.

Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë kundër koronavirusit. Autoritetet tashmë kanë hartuar një plan të imunizimit, të ndarë në tri faza, ku fillimisht janë duke u vaksinuar punëtorët shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Ndërkaq, numri total i rasteve pozitive është 95.341 raste nga 456.664 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.948 raste të vdekjes në Kosovë./Demokracia.com/

Të ngjashme