Lajme
A e di Albin Kurti që edhe Glauk Konjufca ngjashëm si opozita iu drejtua Gjykatës Kushtetuese?
Demokracia
11:32 | 23 Dhjetor 2023

Share:

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili është edhe njeriu i dytë në Vetëvendosje, pas Albin Kurtit, ka një të përbashkët me deputetët opozitarë.

Konjufca, ashtu si edhe deputetët opozitarë, ka shfrytëzuar të drejtën që ia jep Kushtetuta e Kosovës për të dërguar në institucionin e Gjykatës Kushtetuese një çështje për të cilën ngarkohet nga dokumenti më i lartë juridik i shtetit, shkruan Demokracia.com.

Kur një e drejtë e tillë kushtetuese po shfrytëzohet nga deputetët (opozitarë), për kryeministrin Kurti është një pengesë e reformave dhe instrument për ta mbrojtur shtetin e kapur.

Për të dërguar një çështje në Gjykatën Kushtetuese, Konjufca ka shfrytëzuar nenin 113 të Kushtetutës, pikën 9, kurse deputetët (opozitarë) kanë shfrytëzuar pikën 5 të nenit të njëjtë.

Pra, sipas këtij neni, Kryetari i Kuvendit dhe deputetët janë palë të autorizuara për të ngritur çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Më 2 mars të vitit 2023, kryeparlamenti i Kosovës, Glauk Konjufca, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e amandamenteve të propozuara kushtetuese, të cilat ishin aprovuar nga Komisioni ad-hoc për Vetingun në sistemin e drejtësisë, i themeluar nga Kuvendi.

Gjykata Kushtetuese, si institucion që ka autoritetin e vetëm në Kosovë për të vlerësuar edhe kushtetutshmërinë e ligjeve që nxjerrë Kuvendi i Kosovës, sipas Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, nuk bënë të shfrytëzohet nga partitë opozitare edhe pse Kushtetuta e Kosovës u jep të drejtë së paku 10 deputetëve që t’i drejtohen asaj brenda një afati prej 8 ditësh nga dita kur Kuvendi miraton një ligj të caktuar.

“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet në mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, deklaronte Kurti më 22 shkurt 2023. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/coroditja-e-kurtit-per-zajednicen-fshihet-pas-gjykates-kushtetuese-por-kur-opozita-con-ligje-aty-e-quan-instrument-per-ta-mbrojtur-shtetin-e-kapur

Të ngjashme