Lajme
A do t’i përgjigjen kërkesës së ShBA-së? | Escobar sfidon publikisht Kurtin dhe Osmanin që t’i dënojnë sulmet ndaj Lajçakut
Demokracia
11:10 | 21 Shtator 2023

Share:

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka sfiduar publikisht presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ai u ka kërkuar të dy drejtuesve të lartë shtetërorë që t’i dënojnë sulmet ndaj emisarit evropian për dialogun, sllovakut Miroslav Lajçak.

Fushata kundër ndërmjetësuesit evropian është shpeshtuar sidomos pas konferencës së fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën e mbajti me mediat më 18 shtator 2021, shkruan Demokracia.com.

Kjo kërkesë e Escobar erdhi pas pyetjes nga Zëri i Amerikës se “cili është komenti i juaj për kritikat e shprehura nga kryeminsitri Kurti për ndërmjetësin Miroslav Lajçak?”.

“Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga Qeveria e Kosovës, por Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, ka deklaruar Escobar.

Deri më tani ende nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga presidentja Osmani apo kryeministri Kurti lidhur me këtë kërkesë specifike të të dërguarit të ShBA-së.

Vetë kryeministri Kurti ka drejtuar akuza të rënda në adresë të ndërmjetësuesit evropian, më 18 shtator 2023, pas dështimit të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku Kosova dhe Serbia ishin thirrur për t’u dakorduar për rrugën e zbatimit të planit franko-gjerman apo Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).

Kryeministri Kurti ka paraqitur kërkesën publikisht për zëvendësimin e Lajçakut, me arsyetimin se “nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë, i njëanshëm, aspak neutral e korrekt”.

Kurti është treguar i ashpër me Lajçak, duke e akuzuar atë për pozicionim të qartë kundër Kosovës dhe favorizimin të pozicionit të Serbisë.

Ndryshe nga Kurti, presidentja Osmani nuk ka shprehur publikisht qëndrimet e njëjta me ato të kryeministrit. Përkundrazi, ende pa kaluar dy-tri ditë nga kritikat e Kurtit, Osmani është takuar dy herë në Nju Jork me ndërmjetësuesin Lajçak. Në këto takime, ajo ka shprehur shqetësimet për masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës nga BE-ja dhe nevojën që ato të largohen, por askund nuk ka treguar nëse ka ndarë shqetësimet e njëjta me shefin e Qeverisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme