Fazli Veseli, babai i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Kadri Veseli, ka vdekur sot në moshën 94 vjeçare. Nga Gjykata Speciale, për Demokracia.com kanë thënë se paneli do të vendosë në lidhje me një kërkesë të mundshme për vizitë të ish-kryeparlamentarit në Kosovë.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, për Demokracia.com ka thënë se kuadri i Dhomave të Specializuara lejon që të bëhen kërkesa të tilla, në situata si kjo.
“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për kërkesa të tilla”, ka thënë ajo për Demokracia.com.
Ndërkohë, Kadri Veseli, i cili gjendet në Hagë për shkak të akuzave nga Gjykata Speciale, u ka dhënë leje familjarëve të tij, të vazhdojnë me procedurat e varrimit të babait të tyre.
Kjo edhe nëse ai nuk arrin në kohë që të jetë prezentë në këtë ceremoni mortore. Kështu kanë thënë familjarët e Kadri Veselit për Klan Kosovën.
Vlen të përmendet se Veseli kishte qëndruar në Kosovë në maj të këtij viti, ku u lejua që të vizitojë babanë e tij në spital, pasi ky i fundit ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton Demokracia.com.
Veseli ishte përcjellë me forca të shumta të sigurisë, duke përfshirë këtu dhe Policinë e Eulex-it. Pas përfundimit të kësaj vizite tre ditore, ai ishte kthyer në Hagë, ku ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, nga familjarë përmes rrjeteve sociale u bë e ditur se Fazli Veseli do të varroset sot (e mërkurë) në Broboniq të Mitrovicës në orën 19:00.
Lidhur me vdekjen e Fazli Veselit ka pasur shumë reagime. Figura të shumta politike kanë shprehur ngushëllime për familjen Veseli./Demokracia.com/