Lajme
A do të sjell lufta në Ukrainë një pikë kthese edhe në Serbi?
Demokracia
15:21 | 03 Maj 2022

Share:

Që nga sulmi rus në Ukrainë, fjala “pikë kthese” është bërë modë. A do të përballet edhe Serbia me një riorientim thelbësor? Thomas Brey, korrespondent prej kohësh i agjencisë gjermane të lajmeve DPA nga Beogradi, analizon për DW.

Serbia shihet tradicionalisht si aleati më i ngushtë i Rusisë në Evropë. Ky vend i vogël ka marrëdhënie të shkëlqyera edhe me Kinën, e cila me kredi të mëdha ka mundësuar shumë projekte infrastrukturore, si zgjerimi i rrjetit hekurudhor dhe rrugor, si dhe i termocentraleve. Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përcjellë Demokracia.com.

Politika “me dy vende” në vendin ballkanik ka një traditë të gjatë. Ish-presidenti dhe politikani tani opozitar Boris Tadiq ndoqi një “politikë të jashtme me katër shtylla”: përveç Rusisë, Kinës dhe Bashkimit Evropian, u zgjodhën Shtetet e Bashkuara si partneri i katërt. Kjo maksimë, e kritikuar shpesh si “politikë e sharrës”, tani haptazi po i vjen fundi. Serbia padyshim që duhet të marrë vendimin përfundimtar se në cilën anë dëshiron të jetë.

Propaganda e qeverisë po ndryshon

Media tabloid, e cila konsiderohet si një lloj “megafoni i pushtetit”, ka dhënë deri tani një pamje të qartë: miq ishin Rusia dhe Kina, e keqja kërcënohej nga Perëndimi, por ato media të kontrolluara nga qeveria bënë një kthesë befasuese javën e kaluar.

“Politika botërore mbi kurrizin tonë”, ishte titulli i gazetës Informer. Kurir ka shkruar: “Interes lakuriq. Putini mbron interesat e Rusisë (…) dhe nuk i kushton rëndësi qëndrimit të Serbisë”. “Putini harroi serbët dhe Kosovën për shkak të luftës së tij”, ishte titulli në Blic, ndërsa Telegrafi serb ishte edhe më i qartë: “Putin godet me thikë serbët.”

Çfarë ndodhi? Putin i arsyetoi pretendimet e tij për Krimenë dhe Ukrainën lindore duke thënë se Perëndimi e ndau Kosovën nga shteti serb dhe e njohu atë sipas ligjit ndërkombëtar. Për të qenë më të saktë: ju e ndatë Kosovën nga Serbia, të njëjtën gjë po bëjmë edhe me Krimenë dhe Ukrainën lindore. Ose në përkthim: Kosova është po aq e pavarur sa edhe zonat e Ukrainës në të cilat Rusia ka të drejtë.

Treguesit e pozicionimit të ri të Serbisë

Pas një vizite të fundit tek Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë që vendos gjithçka, senatorët amerikanë raportuan se ai synon të ndryshojë politikën e vendit të tij brenda dy muajsh.

Nga ana e tij, Vuçiq njoftoi se do t’i drejtohet kombit, por më pas e shtyu për një javë, pra për të premten, më 6 maj. Zyrtarisht u tha se duhet edhe pak kohë për të vlerësuar situatën në Serbi, transmeton Demokracia.com.

Presioni mbi Beogradin është intensifikuar javët e fundit. Uashingtoni dhe Brukseli vazhdojnë të thonë se nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e BE-së, ajo duhet të ndjekë linjën e politikës së jashtme të Bashkimit. Parlamenti Evropian kohët e fundit kritikoi armët kineze për Serbinë: Beogradi nuk ka nevojë fare për këtë sistem raketash tokë-ajër, sepse ai është i rrethuar gjeografikisht vetëm nga anëtarët e NATO-s dhe BE-së. Apo ndoshta ka disa plane krejtësisht të ndryshme, pyesnin ata.

Në fund ka folur edhe ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin, i cili u bë i njohur si zëdhënësi i presidentit Vuçiq. Ai bëri thirrje që Serbia të ndalojë çdo afrim të mëtejshëm me BE-në dhe të bëhet politikisht neutrale. Ky neutralitet i vetëbesuar, në përpjesëtim të zhdrejtë me fuqinë ekonomike të vendit, ushqehet nga historia jugosllave me fokus në themeluesin ndryshe jo gjithmonë popullor të shtetit komunist, Josip Broz Tito, dhe Lëvizjen e tij të të Paangazhuarve.

Vuçiq dëshiron të parandalojë dobësimin e pozitës së tij dominuese

Është e qartë se kreu i shtetit Vuçiq është nën presion të madh. Ai beson se pozita e tij e paprekshme është dukshëm e rrezikuar nga trazirat e mundshme sociale në vend. Është e pazakontë, për shembull, që së fundi ai ndaloi publikisht një propozim të ministrit të tij të financave, Sinisha Mali, i cili, megjithë demonstratat disaditore, synonte të detyronte shitësit e tregut të fillonin përdorimin e kasave fiskale.

Popullsia e Serbisë duhet të përballet me rritjen e madhe të çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve. Në të njëjtën kohë, Vuçiq tërhoqi pensionistët në anën e tij me grante të njëhershme shtetërore, të cilët presin që ai t’u sigurojë atyre standardin e tyre të jetesës shumë modest.

Në fund të javës së kaluar, gazeta e mirënjohur e Beogradit Novosti, gjithmonë në ballë të mbrojtjes së Vuçiqit nga Perëndimi dhe synimet e tij të supozuara të mbrapshta, botoi një artikull të rëndësishëm duke thënë se presioni perëndimor “rrezikon seriozisht ekonominë serbe” mund të pezullojë ofrimin e ndihmës financiare, që do të ishte fundi i investimeve të së ardhmes dhe të kaluarës, shkruan Demokracia.com.

Dhe mund të jetë shumë më keq, vlerëson gazeta: fundi i udhëtimit pa viza në BE, i cili është i mundur që nga viti 2009, dhe mund të ketë një pezullim të asistencës së madhe para anëtarësimit të BE-së nga fondet IPA, si dhe heqjen të statusit kandidat.

Teori konspirative

Lajmi e klasifikon skenarin si pjesë të një teorie të madhe konspirative: Perëndimi, së bashku me fqinjët nga Sarajeva, Podgorica dhe Zagrebi, po punojnë kundër presidentit serb Vuçiq. Dhe jo vetëm kaq: presioni ndaj Serbisë është vazhdimi i shkatërrimit të “çdo formë shteti” – nga Jugosllavia, përmes RFJ-së (Serbia dhe Mali i Zi), deri te bombardimet e NATO-s, për t’i dhënë “një pjesë të territorit tonë shqiptarëve”.

Faktet janë të qarta: Serbia është plotësisht e varur nga Perëndimi. Bashkimi Evropian deri më tani ka dhënë katër miliardë euro ndihmë zhvillimore. Sipas Beogradit, 24,000 kompani serbe janë të lidhura me BE-në, duke punësuar pothuajse 900,000 njerëz. Dy të tretat e eksporteve të kompanive serbe shkojnë në vendet e BE-së.

Analistët e orientuar në mënyrë kritike nga Serbia vlerësojnë se Vuçiq nuk do të rrezikojë t’i prishë ato lidhje të forta, sepse kjo do ta vinte në rrezik. Prandaj ai do t’i kthejë shpinën Rusisë dhe do të orientohet drejt Perëndimit më qartë se kurrë. /Demokracia.com/

Të ngjashme