Lajme
A do të përballet Kosova me një valë të re të COVID-19? Flet infektologu Hamdi Ramadani
Demokracia
12:55 | 01 Korrik 2022

Share:

Kosova këto ditë po regjistron numër të madh të rasteve që një kohë të gjatë. Vetëm gjatë tri ditëve të fundit janë regjistruar 493 raste të reja me COVID-19.

Rritja e menjëhershme e rasteve të reja me COVID-19 në vendin tonë ka bërë që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të bëjë apel për bartjen e maskave, shkruan Demokracia.com.

Infektologu Hamdi Ramadani në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se situata është shumë serioze dhe vendi mund të përballet me një valë të re infektimesh.

Ai ka thënë se mundësia e vetme që të shpëtohet nga ndonjë vale e re e COVID-19 është që qytetarët të vaksinohen dhe t’i evitojnë tubimet, sidomos ato në ambiente të mbyllura.

“Vetë të dhënat e paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë apo Instituti Kombëtar, si burim i të dhënave po tregojnë se situata me pandeminë COVID-19 në vendin tonë ende është e pranishme. Kemi thënë që pandemia COVID-19 është e pranishme. Është këtu dhe normalisht ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë çështje. Kjo rritje tash e këtyre rasteve po tregon se ende situatën e kemi edhe serioze, edhe që mund të jetë akoma më e rëndë ose më e ngarkuar dhe se pandemia COVID-19 mund të rritet në ditët e ardhshme edhe më shumë për faktin se tashmë e dini se është muaji i korrikut ose e gushtit, ku fluksi i qytetarëve nga diaspora është veçse në rritje, që do të jetë edhe në vazhdimësi e që është një faktor i rëndësishëm”, ka thënë Ramadani për Demokracia.com.

Ai është shprehur se një faktor tjetër që mund të ndikojë në rritjen e rasteve është edhe grumbullimi i qytetarëve.

“Ju e dini që tubimet këto ditë janë të mëdha, tubimet e mbyllura, pastaj qendrat tregtare e bëjnë të veten. E treta, ju e dini që për fat të keq në vendin tonë javët që kanë kaluar ka rënë dukshëm interesimi për vaksinim dhe imunizim ndaj pandemisë COVID-19 dhe shumë qytetarë, por edhe organe kompetente kanë menduar se kjo sëmundje ka rënie ose ulje. Por, kjo nuk ka ndodhur për shkak se ju e dini që një numër i të vaksinuarve. Pra, imunizimi i qytetarëve me vaksinën, me dozën e dytë dhe dozën e tretë, është jashtëzakonisht i ulët. Nuk është numër i dëshirueshëm dhe nuk është i kënaqshëm. E kemi thënë në vazhdimësi se vaksinimi duhet të jetë, përqindja e qytetarëve e lartë me dozën e dytë me 80 për qind ose duhet të bëhet rivaksinimi ose vaksinimi me dozën e tretë, me dozën përforcuese me një përqindje më të madhe. Kurse ju e dini që deri më tash se ne e kemi këtë shifër shumë të ulët, deri më tani me dozën e tretë i kemi rreth 100 mijë qytetarë, do me thënë rreth 10 përqindëshi i qytetarëve. Pra, as 10 për qind e qytetarëve nuk e kanë marrë dozën e tretë. Ndërkaq, dozën e dytë të vaksinës, ju e dini që është shumë i ulët dhe nuk e kalon shifrën 65 për qind ose 70 për qind, që do të ishte i kënaqshëm ose që do të jetë bindës ose më i sigurt. Kështu që, këtu duhet me i lyp faktorët, nën 1 vaksinimi, interesimi i qytetarëve dukshëm javëve të fundit ka rënë dhe organet shëndetësore nuk kanë bërë aq sa duhet promovimin e vaksinimit, sepse promovimi duhet të bëhet vazhdimisht dhe sa më shumë. Dhe së treti, normalisht ardhja e qytetarëve, ardhja e mërgatës dhe tubimi në ambiente të mbyllura kanë bërë që pandemia COVID-19 të fillojë me rritje të rasteve. Ditët e ardhshme është e mundshme që ky numër i rasteve të rritjes të jetë edhe më i madh, prapë për faktin se nën një qytetarët nuk po bëjnë vaksinimin e duhur me dozën e tretë dhe me dozë të dytë. Jemi larg funksionimit të instancës, objektivit që të kalohet mbi 70 për qind me dozën e dytë ose dozën e tretë. Do me thënë, të kaloj 70 përqindëshi i dozës së dytë dhe kur ia shtojmë krejt kësaj se dy dozat e vaksinës nuk janë të mjaftueshme edhe kalimi i sëmundjes në rrugën natyrale i Covidit nuk është e zgjatur, atëherë normalisht paraqitja e rasteve e ri-infeksioneve, rritja e sëmundjes së pandemisë edhe është e pritur dhe do të ndodhë. Është një apel që njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm dhe i bëj apel që të bëjnë vaksinimin me dozën e dytë ata të cilët nuk e kanë marrë dozën e dytë dhe me dozën e tretë, ata të cilët e kanë marrë dozën e dytë, sepse vetëm kjo e bën popullatën që të mos sëmuremi dhe të mos rishfaqet sëmundja ose infeksioni për shkak se pandemia COVID-19 është sëmundje që nuk jep imunitet të zgjatur, jep një imunitet disamujor dhe për këtë arsye u fut në program doza e tretë ose doza përforcuese që të mbrohet organizmi, që të rritet imuniteti, që të rritet rindërtimi i imunitetit i një organizimi kur vjen në kontakt me virusin COVID-19”, theksoi Ramadani për Demokracia.com.

Sipas Ramadanit, në rast se qytetarët kujdesen për higjienën, marrin dozën e tretë dhe atë përforcuese si dhe i evitojnë tubimet, atëherë mundësia e përhapjes së COVID-19 është shumë e ulët dhe kështu nuk do të kemi situata sikurse që vendi ynë është përballur vitin e kaluar.

Ai thotë se Kosova është larg imunizimit të duhur të popullsisë, pasi që siç theksoi, imunizimi duhet të jetë mbi 75 për qind e popullatës.

“Bazuar në të dhënat e paraqitura nga organet kompetente për qytetarët që janë vaksinuar me dozën e dytë ose të tretë shihet qartë që jemi shumë larg një situate për t’u mbrojtur nga kjo sëmundje. Do të ishte mirë që ne të jemi në një situatë ku do të kishim mbi 75 për qind ose 80 për qind të qytetarëve të vaksinuar. Pastaj shto faktin që ne ende jemi larg edhe vaksinimit të qytetarëve në mbi 65 për qind të moshës mbi 18 vjeçare, dhe me dozën mbi 12 për qind që jemi shumë larg. Atëherë me dozën e tretë është e mundshme që situata, gjegjësisht paraqitja me raste të reja me COVID-19 të jetë ende e rritur, por nuk e shoh një rritje aq të madhe siç ka ndodhur vitin e kaluar, për shkak se shumë qytetarë ranë në kontakt me COVID-19 për shkak se nuk kanë pasur një imunitet të duhur me këtë sëmundje. Dhe së dyti e kemi një numër të rasteve të imunizuar me dy doza dhe e kemi një përqindje prej 10 për qind të qytetarëve që janë vaksinuar me dozën e tretë. Këto janë faktorët që në një mënyrë nuk do ta lejojnë që situata në vendin tonë të jetë e pakontrolluar dhe e paqëndrueshme, por mundësia e një rreziku të paraqitet si një valë me e madhe edhe në vendin tonë dhe mund të jetë edhe e mundshme për shkak se mund të jetë situatë e lëvizjes së qytetarëve, grumbullimi në hapësira të mbyllura, etj. Meqë pandemia COVID-19 nuk jep imunitet të zgjatur, qoftë me kalimin e sëmundjes në rrugë natyrale, qoftë edhe me vaksinimin me dozën e parë, të dytë. Vetëm tri dozat e vaksinës janë faktorë të sigurt. Në atë vend, në atë qytetet ku numri i të vaksinuarve me dozën e tretë është i lartë, atëherë mund të themi se pandemia COVID-19 mund të shkojë kah fundi dhe jo e kundërta”, potencoi tutje Ramadani.

Ai tha se përgjegjës për rritjen e rasteve të reja janë vetë qytetarët dhe për këtë duhet të bartin përgjegjësi, pasi që po hezitojnë që të vaksinohen, porse edhe institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë në lidhje me vaksinimin dhe me kampanjat vetëdijesuese.

“Përgjegjësia kryesore mbetet mbi qytetarët, meqë kemi vaksina të mjaftueshme. Është përgjegjësi dhe vetëpërgjegjësi e qytetarëve që ata duhet ta marrin dozën e dytë, nëse nuk e kanë marrë deri tash. Ata të cilët e kanë bërë dozën e dytë, duhet ta bëjnë dozën e tretë. Këtu mendoj është çelësi. Dhe së dyti, organet kompetente shëndetësore, ministria dhe instituti duhet sa më shumë të bëjnë promovime për vaksinimin dhe se duhet të merret doza e tretë. Ndryshe, nuk do të mund ta mposhtim këtë sëmundje. Ne e kemi armën, pra e kemi vaksinën, e cila është treguar e sigurt, efikase dhe ka dhënë rezultate të konsiderueshme. Ata qytetarë që kanë marrë vaksinën, pra dozën e tretë të vaksinës, sepse flitet që tri dozat e vaksinës bëjnë imunitet mbi 95 për qind te ai qytetar dhe jep mbrojtje solide post-vaksinale dhe për një kohë të konsiderueshme, të themi 6 apo 9 muaj dhe më pas të merret pas 1 viti si vaksinë, si dozë shtesë apo përforcuese. Fokusi i organeve shëndetësore, por edhe i qytetarëve duhet të jetë marrja e dozës së dytë dhe të tretë, por edhe të evitohen tubimet e ndryshme, si në ambiente të hapura e veçanërisht në ambiente të mbyllura”, u shpreh Ramadani.

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë vaksinuar vetëm 25 persona, përderisa numri i përgjithshëm i të vaksinuarve ka arritur në mbi 1 milion e 830 mijë. /Demokracia.com/

Të ngjashme