Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin konsultativ të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Zëdhënësi i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kjo parti do të marr pjesë në takimin e së hënës.
“Po, Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja”, ka thënë Gashi për Demokracia.com.
Gjithashtu, zëdhënësi i LVV, Arlind Manxhuka konfirmoi për Demokracia.com pjesëmarrjen në takimin konsultativ.
“Po, kemi thënë edhe më herët se ne jemi të gatshëm si subjekt të takohemi me presidenten kurdo që ajo na thërret”, tha Manxhuka.
E sipas zëdhënësit të PDK-së, Faton Avdullahu edhe kjo parti do të jetë pjesë e këtij takimi, ku kryetari Memli Krasniqi do të shfaqë qëndrimet dhe propozimet e partisë.
“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do ti shfaqë në takim”, tha Avdullahu për demokracia.com.
Gjatë të premtes, presidentja Osmani ka paralajmëruar takim konsultativ me partitë në mënyrë që të diskutohet për shtyrjen e zgjedhjeve.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës në një propozim që i ka dërguar presidentes ka rekomanduar që të shtyhen zgjedhjet lokale në Kosovë të parapara më 17 tetor. /Demokracia.com/