Lajme
A do të kompensohen orët e humbura? – flet Rrahman Jasharaj
Demokracia
13:09 | 06 Tetor 2022

Share:

Nuk dihet ende nëse Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës do ta respektojë kalendarin e ri të cilin e ka propozuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, për kompensimin e orëve të humbura të mësimit gjatë grevës pesëjavëshe.

Kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj, tha për Klankosova.tv se së pari qeveria do të duhej që t’i procedonte pagat për muajin shtator e më pas të ulen e të diskutojnë për të gjitha temat.

Ai tha se ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, është ngutur kur ka dal me kalendarin e ri, pasi fillimisht ajo është dashur që të angazhohet në procedimin e pagave.

“Ministrja në vend të kësaj është dashur të angazhohet që të kemi procedim të pagave, ngase shërbyesit civil ishin në grevë dhe atyre iu kanë dalur pagat e shtatorit. Ministrja fillimisht të angazhohet që të procedohen pagat dhe pastaj të ulemi, ngase kontrata kolektive e saktëson se orët e humbura në grevë nuk kompensohen. Megjithatë, kjo kontratë nuk e përjashton, sepse thotë se përveç nëse dy palët merren vesh ndryshe”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj theksoi se pasi t’i marrin pagat për muajin shtator, Sindikata e Bashkuar do t’i pyes mësimdhënësit për të vendosur.

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit theksoi se secili mësimdhënës po bën angazhimet maksimale që të ketë sa më pak njësi mësimore të humbura.

Rrahman Jasharaj, në fund tha se janë të indinjuar me veprimin e Qeverisë për ekzekutimin e pagave për punëtorët e sektorëve të tjera.

Ai tha për Klankosova.tv se pret që këto ditë të ketë lajme të mira.

“Ne jemi të indinjuar që Qeveria i ka proceduar pagat për sektorët e tjerë ndërsa për punëtorët e sektorit të arsimit jo. Ka pasur edhe sektorë të tjerë në grevë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që t’i ekzekutojë pagat, pasi ka mësimdhënës që janë në kushte të vështira dhe kanë po ashtu edhe kredi”.

“Ne presim të kemi lajme të mira në këto dy ditë. Shpresojmë që të na dalin pagat”.

Të ngjashme