Lajme
A do të ketë masa të reja pas rritjes së rasteve me COVID-19?| Flasin nga Ministria e Shëndetësisë
Demokracia
19:28 | 18 Korrik 2022

Share:

Ditëve të fundit në Kosovë është shtuar dukshëm numri i personave me koronavirus, gjë që edhe ka ngjall panik te qytetarët.

Vetëm në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë ndërruar jetë 2 persona dhe 615 të tjerë janë infektuar me koronavirus.

Mirëpo javëve të fundit numri i rasteve të reja me këtë virus ka shënuar dukshëm ngritje.

Kjo ngritje ka shkaktuar edhe shqetësim te qytetarët, raporton Demokracia.com.

Mirëpo pavarësisht kësaj gjendjeje pandemike në të cilën ndodhet Kosova, nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur për Demokracia.com se nuk do të ketë masa të reja nëse vazhdohet me këtë trend dhe masat e reja do të merren vetëm atëherë kur të rritet edhe numri i personave që shtrihen në spital apo edhe numri i viktimave nga COVID-19.

Nga MSH-ja thonë se aktualisht janë duke u zbatuar masat që janë marrë më 30 prill të këtij viti.

“Ministria pranon rekomandime nga IKSHPK dhe Këshilli i eksperteve për COVID-19 dhe aktualisht rekomandimet janë që të zbatohen masat në fuqi nga 30 prilli, të bartet maska në mjedise të mbyllura, qytetarët me simptoma të testohen dhe qytetarët t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim. Aktualisht, numri në rritje i rasteve të COVID-19, nuk rezulton me rritje të madhe të numrit të personave me forma të rënda të sëmundjes dhe që kërkojnë tretman spitalor. Sidoqoftë, ndërmarrja e çfarëdo mase varet nga rekomandimet që japin ekspertët dhe bazuar në treguesit shëndetësor ku hyjnë edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për tretman spitalor apo mjekim intensiv, numri i vdekjeve, numri i vaksinimeve, etj”, kanë treguar për Demokracia.com nga Ministria e Shëndetësisë.

Ekspertët shëndetësor në vazhdimësi e kanë theksuar se vetëm marrja e vaksinës mund të shpëtojë nga përkeqësimi i gjendjes me COVID-19, por në Kosovë numri i të interesuarve për vaksinim kishte rënë dukshëm para se të rriteshin rastet dhe nga MSH-ja thonë se tani pas rritjes së rasteve të reja edhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar kundër koronavirusit është shtuar.

“MSH është në një kampanje ta vazhdueshme me IKSHPK, UNICEF, USAID dhe partnerë të tjerë për të informuar qytetarët për rëndësinë e vaksinimit e sidomos me dozën e 3-të, por edhe dozën e katërt dhe dozat pediatrike. Rënia ka qenë e kuptueshme për shkak të situatës relativisht të qetë që ka qenë sa i përket COVID-19, por edhe faktit që një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar, sidomos me dozën 1 dhe 2. Me rritjen e rasteve, ka filluar të rritet edhe vaksinimi, sot deri në orën 14: 00 ka rreth 400 te vaksinuar, ku dominon vaksinimi me dozën 3 dhe 4, ndërsa pritet të rritet ditëve në vijim”, theksojnë nga MSH për Demokracia.com.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur se ka vaksina të mjaftueshme në stok dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen në qendrat e vaksinimit gjatë gjashtë ditëve të javës nga e hëna deri të shtunën.

Aktualisht në vendin tonë janë 5 mijë e 687 raste aktive me COVID-19, ndërkaq që nga fillimi i procesit të vaksinimit në Kosovë janë administruar gjithsej 1 milion e 832 mijë e 519 doza të vaksinës kundër koronavirusti. /Demokracia.com/

Të ngjashme