COVID-19KosovaSot:258Të gjitha:230,395|Bota 557,809,123
OpEd
A do ta pushtojë Ukraina-Rusinë?
Demokracia
10:31 | 21 Maj 2022

Share:

Nga James Forsyth “Spectator”

Kur forcat ruse u futën për herë të parë në Ukrainë, shumica menduan se presidenti Volodymyr Zelensky duhej të largohej nga vendi i tij. Boris Johnson deklaroi se Britania ishte gati të priste një qeveri ukrainase në mërgim. Amerikanët i ofruan Zelensky evakuimin nga Kievi për ta mbrojtur atë nga skuadrat speciale që kishte dërguar Moska për ta vrarë ose për ta kapur rob.
Me guximin dhe dhuntinë që e ka karakterizuar udhëheqjen e tij në këtë luftë, presidenti ukrainas u përgjigj: “Unë kam nevojë për municione, dhe jo për një udhëtim”. Tani ukrainasit i kanë municionet që u duheshin, dhe pas 3 muajsh, lufta duket shumë ndryshe nga sa e imagjinonte dikush më 24 shkurt.

Është e vërtetë, rusët e kanë marrë pas shumë përpjekjesh qytetin e Mariupolit, duke krijuar një korridor tokësor nga Donbasi në Krime, të cilën e aneksuan në vitin 2014. Por, pasi e fituan betejën për Kievin, ukrainasit po i dëbojnë tani rusët nga Kharkiv dhe po i vënë shumë në vështirësi forcat e Putinit në frontin lindor.

Me dërgimin e sasive të mëdha të armëve perëndimore në Ukrainë (dhjetë avionë me ndihma ushtarake vetëm në fillim të kësaj jave), tani ekziston një shans real që ukrainasit të hidhen në kundërsulm. 40 miliardë dollarë ndihma të SHBA-së janë rrugës. Vetëm kjo shumë, është më e madhe sesa i gjithë buxheti i mbrojtjes i Australisë.

Kjo do të thotë se Ukraina mund të synojë të rimarrë territorin, në vend se vetëm ta pengojë përparimin e forcave ruse.  Madje, ka zona, siç është Kharkivi kur ukrainasit kanë shkuar deri në kufi duke zmbrapsur rusët duke e patur rrugën e lirë edhe të futen në territorin e Rusisë për të marrë një zonë, të cilën më pas ta përdorin si monedhë këmbimi për territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.

Kjo kthesë e ngjarjeve ngre një pyetje: Cilat duhet të jenë tani synimet e luftës për Ukrainën? A duhet të përpiqen ata t’i sprapsin rusët deri ku ishin para pushtimit, apo të vazhdojnë të luftojnë edhe për çlirimin e Krimesë, dhe të përpiqen të rikuperojnë të gjitha humbjet që kanë pësuar që nga viti 2014?

A duhet të jetë Zelensky i përgatitur për të biseduar me Putinin, pavarësisht krimeve të tmerrshme të kryera nga forcat ruse? Dhe a duhet t’i ofrohet Putinit një lloj rrugëdaljeje nga kjo luftë, për t’ia shpëtuar disi fytyrën? Vendimi i Putin për të nisur një pushtim të plotë, dhe trimëria me të cilën rezistuan ukrainasit, e ka bashkuar Perëndimin.

Pushtimi e zgjoi nga gjumi NATO-n. Aleanca tani po zgjerohet, dhe qëllimi i saj është shumë i qartë. G7 ka krijuar një rol të ri për veten, si një mjet për koordinimin e sanksioneve midis SHBA-së dhe BE-së, dhe ekonomive të tjera perëndimore dhe të demokracive të Azisë Lindore.

Ditët e fundit ky front i bashkuar është plasaritur paksa. Presidenti francez Macron ka deklaruar se Putin nuk duhet të poshtërohet, ndërsa Zelensky tha për televizionin italian RAI: “Ne nuk do ta ndihmojmë Putinin të shpëtojë fytyrën, duke e paguar këtë me territorin e vendit tonë!”.

Parisi ka mohuar se Macron është shprehur kështu. Por gjithsesi, është e qartë se ai po mendon se si të ndërtojë ekuilibra të rinj të sigurisë në Evropë që llogarisin edhe Rusinë. Njëkohësisht, kompanitë e BE-së po lejohen ta paguajnë gazin rus në rubla, për të cilin Komisioni Evropian deklaroi fillimisht se kjo do të ishte kundër regjimit të sanksioneve.

Në selinë e qeverisë britanike, Whitehall, figurat me ndikim kanë nisur të ankohen për “një anim të tepruar në anën e sanksioneve”. Një ministër i kabinetit britanik thotë se BE-ja “nuk do ta ndërpresë asnjëherë blerjen e gazit rus”. Në Gjermani, kompania “Wolksvagen” po bën thirrje për një rikthim sa më shpejt të jetë e mundur në biznesin e zakonshëm me Rusinë.

Pra, ka një ndarje midis shteteve me një qasje më të ashpër ndaj Rusisë, me në krye polakët dhe baltikët, dhe francezëve dhe gjermanëve nga ana tjetër. Negociatat reale për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, mbeten për momentin një perspektivë e largët. Të gjitha bisedimet që janë zhvilluar deri tani kanë qenë të përkohshme.

“Rusët janë shumë larg tryezës së negociatave”- thotë një burim brenda qeverisë britanike. Pushtimi i Mariupol i hap Putinit mundësinë e mohimit të lirisë së lundrimit për Ukrainën në Detin e Zi, gjë që do ta bënte shumë më të vështirë funksionimin e ekonomisë ukrainase. Rusia do të jetë e hapur për negociata, vetëm nëse humbet korridorin e saj tokësor të krijuar së fundmi, si pasojë e një kundërsulmi ukrainas.

Gjithsesi, Ministria e Jashtme në Britani, po koordinohet me aleatët dhe po përgatitet për atë që mund të ndodhë në një periudhë afatmesme. Bisedimet e paqes nuk përjashtohen tërësisht. Një burim diplomatik e përshkruan kështu qëndrimin e Londrës: “Të jemi të ashpër me Rusinë, dhe ta vendosim Ukrainën në një pozicionin negociues më të fortë”.

Dhe për këtë qarkullojnë disa ide. Prioriteti i parë është ruajtja e presionit të sanksioneve ndaj Rusisë, të cilin Londra do të donte ta shtonte deri në një embargo të plotë të naftës dhe gazit. E dyta është të vazhdojë furnizimi i Ukrainës me armë, për t’i dhënë mundësinë të ndryshojë faktet në terren.

“Ne po i ndihmojmë ata që të ulen në tryezën e bisedimeve në një pozicion shumë më të fortë. Se çfarë do të bëjnë më pas varet nga ata. Por ukrainasit nuk do të bëjnë asgjë pa pjesëmarrjen e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së”- thotë një burim në Whitehall.

Kjo është një referencë për bisedimet e paqes të pas vitit 2014, të ashtuquajturat “Minsk 2”, kur rusët paguan një kosto jo shumë të madhe për agresionin e tyre, ndërsa francezët dhe gjermanët patën lidershipin në marrëveshjen e paqes. “Nëse ndodh sërish kjo gjë, do të ishte një katastrofë. Ne s’mund ta lejojmë Putinin të riarmatoset dhe t`i rikthehet sërish pushtimit”- thotë një ministër i qeverisë.

Britanikët janë në favor të një armëpushim, por vetëm nëse rusët tërhiqen të paktën deri aty ku ishin para pushtimit të shkurtit. Një armëpushim tani vetëm për të mundësuar zhvillimin e negociatave do të shihej në Londër si një gabim.

“Forcat e Zelensky kanë tani iniciativën. Ai nuk do të dojë të ndalet tani”- thotë ministri. Edhe ideja për të bërë disa lëshime territoriale për Putinin, është hedhur poshtë. Pyetja më e vështirë është se çfarë duhet bërë për Krimenë.

Rusët e aneksuan atë në vitin 2014, dhe e kanë përfshirë në vendin e tyre, por bota perëndimore nuk e njeh këtë ri-vizatim me forcë të kufijve ndërkombëtarë. Një pjesë e stafit të sigurisë në Perëndim mendon se Zelensky duhet të vazhdojë të luftojë për të dëbuar rusët nga Krimea.

Jo sepse ky qëllim është realist, por sepse do ta rrënonte Rusinë, dhe do ta pengonte rimëkëmbjen dhe riarmatosjen e saj. Por nëse Ukraina do të përdorte pajisjet perëndimore për të kaluar në Krime, dhe për të rimarrë territorin që tani pretendohet nga Rusia se është pjesë e saj, rreziku i përshkallëzimit të konfliktit do të ishte i qartë.

Një zyrtar i lartë britanike thotë: “Nuk mund të jesh më ukrainas se ukrainasit”, teksa shton se Zelensky është i përgatitur të negociojë për Krimenë, edhe nëse anëtarët e tjerë të qeverisë së tij mbajnë aktualisht një qasje më të ashpër. Britania dëshiron që ushtria e Kievit të ndërtohet sipas standardeve të NATO-s, në mënyrë që Rusia të mos ketë shpresë të fitojë një konflikt me mjete konvencionale (pra jo-bërthamore).

Kur Ronald Reagan u pyet në vitin 1977, se cila ishte politika e tij për Luftën e Ftohtë, ai u përgjigj: “Ne fitojmë, ata humbasin!”. Koha i dha të drejtë, por betejat përfundojnë rrallëherë kaq thjesht. Sado moralisht e drejtë do të ishte që Putin dhe udhëheqja ruse të gjykohen për krime lufte, kjo nuk do të ndodhë.

Në vend të kësaj, Perëndimi duhet të fokusohet në dërgimin e Zelensky në tryezën e negociatave në pozicionin më të fortë të mundshëm. Nëse Ukraina zmbraps pushtimin e Putinit, dhe nëse pas kësaj ajo vazhdon të jetë e pajisur për ta bërë sërish këtë, ky do të ishte rezultati më i mirë i arritshëm i luftës. /abcnews.al

Të ngjashme