OpEd
A do ta ndryshojnë sanksionet perëndimore sistemin financiar global?
Demokracia
16:33 | 05 Maj 2022

Share:

Nga Howard Davies “Project Syndicate”

Përballë tmerreve të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe duke njohur opsionet e kufizuara ushtarake të hapura, qeveritë perëndimore vendosën të përdorin arsenalin e tyre ekonomik dhe financiar. Natyrisht sanksione të tilla janë vendosur edhe më parë ndaj vendeve agresore, me një sukses të ndryshëm, por jo në të njëjtën masë siç po ndodh tani kundër Rusisë.

Këtë herë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj sekuestruan një pjesë të madhe të rezervave valutore të Bankës Qendrore Ruse, dhe penguan qasjen e disa bankave ruse në sistemin e mesazheve financiare SWIFT për transaksionet ndërkombëtare. Bota ka mësuar një fjalë të re – “dewifting” – dhe sistemi financiar po përdoret si një armë si kurrë më parë.

Është shumë herët për të vlerësuar ndikimin e sanksioneve kundër Rusisë; dhe nuk ka ende asnjë shenjë të një efekti vendimtar mbi regjimin e presidentit Vladimir Putin apo politikave të tij. Por dëmi afatgjatë mbi ekonominë ruse do të jetë ndoshta i konsiderueshëm.

Njëherazi, pasojat e sanksioneve aktuale të vendosura nga Perëndimi nuk do të kufizohen vetëm në Rusi dhe Bjellorusi, që janë objektivat direktë të tyre. Edhe vende të tjera po pyesin nëse mund ta gjejnë një ditë veten të shkëputur nga sistemi financiar i bazuar te dollari, nëse qeveritë e tyre do ta kapërcejnë vijën e kuqe të përcaktuar nga SHBA-ja.

Politikëbërësit e Arabisë Saudite janë të shqetësuar në këtë aspekt, ndërsa edhe Kina ka qenë për disa kohë në ankth për shkak të cenueshmërisë së saj të madhe ndaj sanksioneve financiare të SHBA-së.

Unë nuk e di nëse ekziston një fjalë në gjuhën kineze që mund t`i përshtatet termit anglez “deswifting”. Por Zhou Xiaoçuan, ish-guvernatori i Bankës Popullore të Kinës, ka folur për rrezikun që i kanoset Kinës nga sanksionet e SHBA-së, dhe ka mbështetur masat mbrojtëse për të rritur përdorimin e renminbit (monedha zyrtare e Republikës Popullore të Kinës dhe një nga monedhat rezervë në botë), në tregjet globale. Edhe të tjerë kanë ngritur hapur pyetjen nëse ndonjë veprim i Kinës kundër Tajvanit do të sillte vendosjen e sanksioneve të ngjashme nga ana e Perëndimit.

Vitet e fundit, Kina ka ndërmarrë disa hapa për ta zbutur këtë rrezik. Për shembull, ajo ka krijuar sistemin e vet të pagesave ndërbankare ndërkufitare, CIPS, që ka të njëjtin format mesazhesh si SWIFT, për të mundësuar pagesën ndërkombëtare në renminbi midis anëtarëve të këtij sistemi.

CIPS është zgjeruar me shpejtësi, me një pjesëmarrje aktive nga bankat kryesore perëndimore, edhe pse vëllimi i transaksioneve të përpunuara nëpërmjet tij përpara luftës në Ukrainë ishte ende më pak se 1 për qind e vëllimit që ka aktualisht SWIFT-i. Ndërsa kjo normë ka të ngjarë të rritet pasi bankat ruse të shkëputura nga SWIFT do të synojnë të përdorin CIPS-in si alternativë, vëllimet e transaksioneve të tyre do të jenë shumë të vogla për të imponuar ndonjë ndryshim të rëndësishëm.

Megjithëse CIPS nuk e ka kërcënuar seriozisht deri tani hegjemoninë globale të sistemeve perëndimore të pagesave, zhvillimi nga Kina i renminbit dixhital mund të ketë një ndikim më të madh. Shumë banka qendrore po eksplorojnë mundësinë e futjes së një monedhe dixhitale (Suedia, ku paratë e gatshme po zhduken me shpejtësi, është më e avancuar se shumica e vendeve).

Por sa u përket ekonomive më të mëdha, Kina është më përpara nga të gjitha. Dollari bahamian mund të pretendojë se është monedha e parë e bankës qendrore plotësisht dixhitale. Por shumë ekspertë dyshojnë nëse ai do ta rivalizojë seriozisht monedhën e gjelbër, transmeton CNA.

Bankat Qendrore  Perëndimore po lëvizin me kujdes drejt monedhave dixhitale. Sepse ka jo pak probleme teknike që duhen zgjidhur, ashtu si edhe disa shqetësime serioze në lidhje me privatësinë. Qytetarët mund të mos e mirëpresin idenë që banka qendrore mund të monitorojë çdo qindarkë që shpenzojnë.

Por këto konsiderata nuk e shqetësojnë shumë Bankën Qendrore të Kinës. Një raport i fundit i Institucionit Hoover mbi perspektivat e renminbit dixhital, e përshkruan atë si “një rritje marramendëse të kontrollit autoritar”. Por, nga perspektiva perëndimore, implikimet ndërkombëtare janë më serioze sesa çështjet e kontrollit të brendshëm.

Udhëheqja e Kinës në fushën e monedhave dixhitale, mund të rrisë ndjeshëm përdorimin ndërkufitar të renminbit, ndërsa vendet pjesëmarrëse në nismën e Kinës “Brezi dhe Rruga” po “inkurajohen” tani që ta përdorin atë. Një raport i Institutit Hoover, i botuar pak kohë para fillimit të luftës në Ukrainë, argumentonte se aftësia e SHBA-së për të zbatuar sanksione financiare në mënyrë efektive do të zbehej nëse Kina do të arrijë të promovojë, përmes monedhës së saj dixhitale, “juanizimin” e flukseve të tregtisë globale.

SHBA-ja është shumë përpara në zhvillimin dhe promovimin e kriptomonedhave private. Mekanizma financiarë spekulativë me kosto të larta të transaksionit ofrojnë perspektivën për të ardhura më të larta për spekulatorët e zgjuar. Nga ana tjetër, Kina është lidere në sistemet e lira të pagesave që ulin koston e transaksioneve ndërkufitare për individët dhe bizneset në ekonominë reale. Këtu mund të nxirret një mësim me vlerë.

Sigurisht “vdekja” e dollarit është parashikuar shumë herë, dhe megjithëse pjesa e monedhës së gjelbër në rezervat globale të këmbimit valutor ka rënë nga 71 për qind në vitin 2000, në pak më pak se 60 për qind sot, aktualisht ka pak shenja të rënies së tij.

Por përdorimi në rritje i sanksioneve financiare si një armë lufte, ka krijuar një nxitje të re për Kinën dhe vendet e tjera, për të eksploruar mënyra se si të minimizohen pasojat negative në rast se vendosen masa të ngjashme ndëshkimore kundër tyre. Pasojat afatgjata për sistemin financiar global mund të jenë shumë të gjera.

Shënim:Howard Davies, ish-president i Shkollës Ekonomike të Londrës dhe ish-zv/guvernator i Bankës së Anglisë.

Të ngjashme