Lajme
A do ta mbush me guxim Albin Kurtin “fitorja” e dy komunave nga VV-ja që ta vizitojë veriun?
Demokracia
22:38 | 24 Prill 2023

Share:

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti sipas të dhënave të KQZ-së, i ka fituar dy komuna Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin në zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në veri të Kosovës.

Por, para tij dhe kandidatëve që i fituan zgjedhjet do të dalin para shumë sfida. Një ndër to do të jetë qasja në objektet komunale.

Kjo fitore ndoshta do ta trimërojë kryeministrin Albin Kurti  që ta vizitojë veriun e Kosovës, ku për dy vjet e gjysmë në krye të Qeverisë u pa rrallë në atë pjesë, shkruan Demokracia.com.

E vetmja herë që Kurti u pa në veri ishte kur për përvjetorin e Policisë së Kosovës, në masa të ashpra sigurie vendosi lule në vendin e rënies së ish-policit të njësive speciale, heroit Enver Zymberi, në rrugën nacionale që lidh Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç.

Pas shumë orësh heshtje Kurti sot ka folur për zgjedhjet që u mbajtën dje në katër komunat në veri. Ai në një postim në Facebook ka falënderuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve, Policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen.

Kurti ka shkruar se bojkoti i zgjedhjeve në veri ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe veglave të tij kriminale në Veri.

“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, ka shkruar ai.

Kurti ka uruar kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur, të cilët i siguroi që Qeveria do t’i përkrahë dhe t’i ndihmojë.

“Uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje. Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë që në ora 19:00 ka përfunduar procesi zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës.  Në këto zgjedhje dolën 1 mijë e 567 qytetarë del se e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Në Leposaviq votuan 141 qytetarë, apo 1.06%

Në Zubin Potok, 385 qytetarë, apo 5.75%

Në Zveçan, 204 qytetarë, apo 2.92%

Në Mitrovicën e Veriut, 837 votues apo 4.62%./ Demokracia.com/

Të ngjashme