Vdekjet e personave teksa shoqërohen në komisiariate apo që janë shkaktuar nga vetë efektivë të policisë, kanë ardhur në rritje.
Rasti më i fundit, ishte ai i Laer Kurtit, 32-vjeçarit i cili ndërroi jetë pasi u shoqërua në komisariatin nr.3 në kryeqytet.
Përmes një njoftimi, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se mbrëmjen e 19 tetorit, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës, efektivët kanë konstatuar Laert Kurtin duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.
I riu u shoqërua në komisariat dhe hetimi paraprak del në përfundimin se ai humbi jetën për shkak se ka gëlltitur një qese me drogë, për t’iu shmangur kapjes nga policia.
Pikërisht në komisariatin nr.3, ndodhi një tjetër ngjarje e rëndë disa muaj më parë, ku efektivi i policisë, Ludian Zaimi qëlloi për vdekje kolegun e tij, Çaush Saliasi.
25-vjeçari ka deklaruar se veprimi ka ardhur si akumulim i sjelljeve të përsëritura të viktimës dhe kolegëve të tij.
Sipas Zaimit, këto sjellje kishin të bënin me fjalorin denigrues dhe veprimeve bullizuese, teksa shtoi se kanë pasur përplasje edhe më parë me njëri-tjetrin.
Dy vite më parë, në dhjetor të vitit 2020, Klodian Rasha u vra nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj, pasi ai nuk iu bind urdhrit të tij për të ndaluar.
Hajdaraj është dënuar me 15 vite burg, por nga gjykimi i shkurtuar pas pranimit të fajit, ai do të vuajë dënimin me 10 vite burg.
Pas kësaj ngjarjeje, u zhvilluan protesta masive në të gjithë vendin, ku dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.