Sport
Nuhiu nuk shqetësohet për miqësoret e humbura, jep lajmin e madh për dy futbollistë
Demokracia
11:14 | 05 Shkurt 2021

Share:

Kampioni aktual i Kosovës në futboll, Drita e Gjilanit, bëri një fazë të mirë të përgatitjeve në Antalia të Turqisë dhe duket se është gati për fillimin e stinorit pranveror, shkruan Demokracia.com.

Gjithsesi, rezultatet në ndeshjet kontrolluese të zhvilluara atje nuk ishin aq të mira, derisa kampin e trazoi edhe humbja në Superkupë ndaj Prishtinës.

Megjithatë, në një bisedë për Demokracia.com, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë se ato rezultate nuk janë aspak shqetësuese, pasi ishin në plan të dytë. Ai ka testuar taktika të lojës të cilat beson se mund t’i përdorë gjatë garave në kampionat, derisa lajmi i mirë për të është rikthimi i dyshes Cuculi – Maloku, që ishin të lënduar që nga stinori vjeshtor.

“Kemi bërë një fazë jashtëzakonisht të mirë. Më gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë mirë me shëndet. Ditëve të fundit janë bashkangjitur me grupin Faton Maloku dhe Ardian Cuculi”, vlerësoi trajneri më i mirë në Kosovë për vitin 2020, i shpallur nga Federata e Futbollit e Kosovës.

“Futbollistët kanë marrë të gjithë ngarkesën e duhur që të jenë gati për kampionat. Është periudha më e vështirë për një futbollist faza përgatitore, por ata janë përgjigjur në mënyrë profesionale, dua t’i falënderoj”, ka thënë tekniku i gjilanasve.

Drita nuk e nisi mirë fazën përgatitore në Antalia pasi qysh në ndeshjen e parë pësoi humbje nga Prishtina për Kupë, ndërsa edhe në takimet tjera kontrolluese nuk kishte rezultate të mira, ku nga katër sosh mori vetëm një fitore.

Ky fakt nuk e shqetëson Nuhiun, i cili thotë se rezultatet ishin në plan të dytë:

“Aspak nuk na shqetësojnë rezultatet në ndeshjet kontrolluese, ato gjithmonë kanë qenë në planë të dytë. Ne ato ndeshje përveçqë mundohemi t’ju japim minutat të gjithë futbollistëve, mundohemi të eliminojmë gabimet që na janë paraqitur gjatë kampionatit dhe të përmirësojmë ekipin në aspektin taktik”.

Gjithsesi, Drita duket se rezultatet e mira i ka ruajtur për ndeshjet serioze, siç është ajo e së martës që vjen kundër Prishtinës për Kupën e Kosovës dhe aty trajneri shkupjan beson se do ta tregojnë fytyrën e vërtetë.

“Pa diskutim se ekipi është gati për ndeshjen e Kupës, gjithashtu edhe për kampionat.

Ne kërkojmë që nga viti në vit të rritemi dhe të shkojmë më lart në çdo aspekt, atë profesional  dhe taktik, duke perfeksionuar edhe lojën. Grupi është bashkë një periudhe të gjatë, njohin mirë njëri-tjetrin dhe është krijuar stabiliteti i ekipit”, përfundoi Ardian Nuhiu. /Dekomkracia.com

Të ngjashme